English

KQZ shqyrton të shtunën ankesat e PD, Kolegji të enjten padinë e PS

Tiranë, 27 maj 2011, NOA- Në mbledhjen e pasdites së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas hedhjes së shortit vendosi që të shqyrtojë ditën e shtunë ankimimin e Partisë Demokratike ku synohet rinumërimi i disa kutive të tjera të cilat janë shpallur gjithashtu si të pavlefshme dhe nuk janë numëruar.

Ky shqyrtim vjen pas dorëzimit në KQZ të një ankese mbrëmjen e djeshme nga përfaqësuesi ligjor i demokratëve në këtë komision, Njazi Kosovrasti.

Këtë fakt e konfirmoi edhe zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj e cila tha se, PD i qëndroi premtimit të saj se do të kërkonte rivlerësimin e votave të kontestuara pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati aktual për zgjedhjet në Tiranë dhe ndikimi i rivlerësimit të këtyre votave në rezultatin përfundimtar, duke theksuar edhe njëherë se është e nevojshme që votat e çdo qytetari të lexohet.

PD i kërkoi KQZ, që standardi i këtyre zgjedhjeve të jetë i njehsuar.

Ndërkaq më herët Kolegji Zgjedhor vendosi sot që ankimimi i Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshme të rezultatit të KQZ-së, i dalë nga numërimi i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë, të bëhet në datën 3 qershor ose thënë ndryshe ditën e enjet.

Vendimi i Kolegjit u bë publik nga anëtari i trupit gjykues Tom Ndreca gjatë mbledhjes së paradites së sotme të Kolegjit Zgjedhor pasi Partia Socialiste u tërhoq nga një prej ankesave të saj.

Nga ana e avokatit socialist, Eno Bushi u tha se tërheqja nga padia e bërë në datën 18 maj synonte grupimin e ankesave në një çështje të vetme.

Nëpërmjet kësaj ankese Partia Socialiste kërkon shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit si dhe rezultatin e shpallur nga ky institucion për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë.

Pas rinumërimit të fletëve të votimit të gjetura në kuti të gabuara, kandidati i maxhorancës, Lulzim Basha, rifitoi avantazhin ndaj kandidatit të opozitës, Edi Rama, dhe kaloi para me 81 vota, vota të cilat cilësohen si të pavlefshme nga socialistët.

a.y/NOA

KOMENTE