Nga Naill Ferguson
"Burri i shtetit pret derisa të dëgjojë hapat e Zotit që gjëmojnë përmes ngjarjeve; atëherë ai duhet të kërcejë dhe të kapë kindin e xhaketës së Tij dhe asgjë më shumë”. Kështu tha Otto von Bismarck, shtetari i madh prusian që bashkoi Gjermaninë dhe riformatoi balancat e pushtetit në Europë një shekull e gjysmë më parë.
Para pak javësh, për herë të dytë gjatë presidencës së tij, Barack Obama i dëgjoi këta hapa, u hodh për të kapur një shans historik … dhe as nuk iu afrua.
Në rastin e Bismarck-ut, nuk ishte dhe aq kindi i xhaketës së Zotit që ai kapi, por vala revolucionare e nacionalizmit gjerman të mesit të shekullit të 19-të. Dhe ishte më shumë se thjesht një kapje; ai arriti ta navigonte në drejtimin e zgjedhur prej tij. Vala e pakapur nga Obama-sërish-është zulma e revolucioneve demokratike në Lindjen e Mesme. E ka përshkuar rajonin dy herë që nga zgjedhja e tij: një herë në Iran, në verën e vitit 2009; dhe të dytën përgjatë Afrikës së Veriut, nga Tunizia e deri në Detin e Kuq në Jemen. Por batica më e madhe kapi Egjiptin, vendin më të populluar në Lindjen e Mesme.
Në secilin rast presidenti u përball me alternativa të forta. Ai mund të përpiqej ta kapte rrymën, në stilin e Bismarck-ut, duke u dhënë mbështetje revolucionarëve të rinj dhe të përpiqej ta navigonte në një drejtim që avantazhonte interesat amerikane. Ose të mos bënte asgjë, duke u bërë rrugë forcave të reaksionit. Në rastin e Iranit, ai nuk bëri asgjë dhe horrat e republikës islamike i shtypën demonstratat pa mëshirë. Kësaj radhe, në Egjipt, gjërat ishin më keq. Ai i bëri të dyja-një herë i kërkoi presidentit Mubarak të largohej e njëherë u tërhoq me një rekomandim për një “tranzicion të kujdesshëm”.
Rezultati ka qenë një katastrofë në planin e politikës së jashtme. Presidenti ka tëhuajëzuar gjithkënd: jo vetëm ndjekësit e Mubarakut në radhët e ushtrisë, por edhe turmat e të rinjve në rrugët e Kajros. Kushdo të fitojë në fund, Obama humbet. Dhe tëhuajëzimi nuk mbaron me kaq. Aleatët më të afërt të Amerikës në rajon, Izraeli dhe Arabia Saudite, janë të revoltuar. Sauditët që frikësohen nga çdo manifestim revolucionar janë të tmerruar me dështimin e Washington-it për të mbështetur Mubarakun pa lëkundje. Izraelitët janë të zhgënjyer me amatorizmin e qartë të administratës amerikane.
Kur komentatorë të tjerë i ranë përqark sheshit Tahrir të Kajros, të ngazëllyer me çka ata shihnin si “1989-a Arabe”, unë shkova në Izrael për konferencën e përvitshme të sigurisë në Herzliya. Konsensusi ndërmjet ekspertëve të Lindjes së Mesme të pranishëm aty? Një dështim kolosal i politikës së jashtme amerikane.
Ky dështim nuk ishte pasojë e fatit të keq. Ishte pasojë e parashikueshme e mungesës së një strategjie madhore koherente të administratës së Obama-s, një deficit për të cilin një numër veteranësh të hartuesve të politikës së jashtme shqetësoheshin prej kohësh. Nuk mund të fajësohet vetëm presidenti për gjithë këtë. Megjithëse kozmopolitan i lindur dhe rritur, Obama ishte një politikan pazakonshëm mendjengushtë para se të zgjidhej; gjykuar kjo nga deklaratat e tij të mangëta publike për çështjet e politikës së jashtme.
Megjithatë, asnjë presidenti nuk mund t’i kërkohet të jetë i gjithëdijshëm. Në fund të fundit përse duhen këshilltarët. Përgjegjësia e njëmendtë për vakuumin strategjik të tanishëm nuk gjendet te Obama, por te Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe në veçanti tek ai që e kryesonte këtë organizëm deri tetorin e kaluar: gjenerali në pension James L. Jones. Dyshoja që kur u emërua, se ai ishte një zgjidhje e keqe. Një marins shtatmadh, ai dikur më habiti kur rekomandoi se trupat turke mund ta ndihmonin Amerikën në Irak. Ai u çudit vetëm paksa kur i sugjerova se irakianët mund të ishin të pakënaqur me këtë formë të kujtuari të vasalitetit të tyre shekullor nën Perandorinë Osmane.
Këshilltarët më të mirë të sigurisë kombëtare ndërthurin njohuri të thella të marrëdhënieve ndërkombëtare me aftësinë për të luajtur lojën makiaveliane të Washington-it; që do të thotë gara për të tërhequr vëmendjen e Presidentit përkundër lojtarëve të tjerë në procesin e politikëbërjes: jo vetëm sekretari i Mbrojtjes, por edhe sekretari i Shtetit dhe shefi i CIA-s. Askush s’e ka bërë më mirë këtë sesa Henry Kissiniger. Por thelbi i Kissinger-it si këshilltar i Sigurisë Kombëtare nuk ishte shpejtësia me të cilën ai mësoi artin e errët të luftës ndërministrore. Ishte aftësia më të cilën ai, në partneritet me Richard Nixon-in, thuri një strategji të madhe për Amerikën, në një kohë kur paqëndrueshmëria gjeopolitike ishte alarmante.
Thelbi i asaj strategji ishte, së pari, përparësitë (për shembull pakti me sovjetikët para problemeve me të drejtat e njeriut brenda Bashkimit Sovjetik) dhe më pas trysnia, duke lidhur bashkë, me qëllim, çështje themelore. Në detyrën e tyre më të vështirë-ruajtja e paqes në Indokinë, duke mbrojtur pavarësinë e Vietnamit të Jugut-Nixon-i dhe Kissinger-i nuk ia dolën mbanë. Por në Lindjen e Mesme qenë në gjendje të zbusnin influencën sovjetike dhe ta kthenin Egjiptin nga një kërcënim në një aleat elastik. Udhëtimet e tyre në Kinë shfrytëzuan ndarjet në bllokun komunist, duke ndihmuar futjen e Pekinit në një kurs të ri epokëbërës dhe hapjeje ekonomike.
Kontrasti mes politikës së jashtme të viteve Nixon-Ford dhe atyre të presidentit Jimmy Carter është një kujtesë e fortë e asaj sesa lehtë mund të dështojë politika e jashtme kur mungon mendimi strategjik. Revolucioni Iranian i vitit 1979, i cili e kapi krejt të papërgatitur administratën Carter, ishte një katastrofë shumë më e madhe sesa humbja e Vietnamit të Jugut.
Nuk mund të ketë një tregues më negativ të mendimit strategjik të administratës se kjo: as edhe për në çast nuk u mor parasysh një skenar në të cilin Mubaraku përballej me një revoltë popullore. Megjithatë, thelbi i mendimit strategjik është hartimi i skenarëve të tillë dhe reagimeve më të mira ndaj tyre, duke preferuar sigurisht të qenit dy-tre lëvizje përpara kundërshtarëve aktualë apo potencialë. Vetëm duke bërë këtë-renditja e prioriteteve dhe parashtrimi i skenarëve të ndryshëm-mund të hartohet një politikë e jashtme koherente. Izraelitët kanë punuar shumë me këtë. Gjithçka Presidenti dhe skuadra e tij e KSK-së duket se kanë bërë, është hartimi i fjalimeve prekëse të ngjashme me atë që mbajti në Kajro në fillim të presidencës së tij.
Këto ishin fjalët e tij në qershor 2009: Amerika dhe Islamizmi nuk janë përjashtues dhe nuk ka pse të jenë në garë. Në fakt, ato mbivendosen dhe ndajnë parime të njëjta-parime të drejtësisë dhe progresit; tolerancës dhe dinjitetit të të gjitha krijesave njerëzore.
Këto fjali do ta shqetësojnë Obama-n nëse, siç nuk mund të përjashtohet, përfituesi përfundimtar i marrakëmbjes së tij në rastin e Egjiptit është Vllaznia Muslimane, e cila mbetet pa diskutim forca më e organizuar opozitare në vend-dhe plotësisht e përkushtuar për restaurimin e kalifatit dhe aplikimin strikt të ligjit islamik Sharia. Një përfundim i tillë, a do të shtynte përpara “tolerancën dhe dinjitetin e të gjitha krijesave njerëzore” në Egjipt? Nuk e di pse, por s’ma merr mendja.
Strategjia e madhe ka të bëjë me nevojën e zgjedhjeve. Do të thotë të zgjedhësh ndërmjet një liste shkurajuese objektivash: t’i rezistosh përhapjes së islamizmit radikal; kufizimi i ambicieve të Iranit për t’u bërë dominant në Lindjen e Mesme; kontrolli i rritjes së Kinës si rival ekonomik; kujdesi ndaj një “ripushtimi” të Europës Lindore nga Rusia-dhe kështu me radhë. Karakteristika përkufizuese e politikës së jashtme të Obama-s nuk ka qenë vetëm dështimi i caktimit të prioriteteve, por edhe dështimi për të kuptuar nevojën e kësaj. Një radhë fjalimesh, të cilat në esencë thonë: “unë nuk jam George W. Bush”, nuk e zëvendësojnë strategjinë.
Bismarck-u dinte të zgjidhte. Ai e kuptoi se navigimi i valës nacionaliste do t’i mundësonte Prusisë shndërrimin në një forcë zotëruese në Gjermani, por pas kësaj objektivi nr.1 do të ishte mbajtja e Francës dhe Rusisë larg një unioni kundër Rajhut të tij të ri. Kur u pyet se ç’mendonte rreth kolonizimit të Afrikës, Bismarck-u u përgjigj: “Harta ime e Afrikës shtrihet në Europë. Këtej kemi Rusinë dhe andej Francën dhe ne jemi në mes. Kjo është harta ime e Afrikës”.
Tragjikisht, askush nuk e di ku është harta e Obama-s për Lindjen e Mesme. Në rastin më të mirë, është në shtetet qendrore të Amerikës, ku fati i presidencës së tij do të vendoset vitin tjetër, ashtu siç ndodhi me Jimmy Carter-in në vitin 1980. Në rastin më të keq, ai nuk ka kurrfarë harte.
*Niall Ferguson, MA, D.Phil., Profesor i Historisë në Harvard University dhe Profesor Administrim Biznesi në Harvard Business School. Gjithashtu një Senior Research Fellow nëJesus College-Oxford University, dhe Senior Fellow në Hoover Institution-Stanford University.