English

Një lojë kriminale me votat e së djathtës

Nga Mero Baze

Ka ndodhur një tjetër fenomen i shëmtuar me zgjedhjet. Një drejtues i lartë i Lëvizjes së Legalitetit më tregonte para disa ditësh se si përfaqësuesit e LSI në grupin e numërimit kishin “fshirë” për llogari të tyre gjithë votat e partisë së tij në një njësi të Tiranës. Kjo kish ndodhur pak a shumë dhe me partitë e tjera të vogla të koalicionit të djathtë. Numëruesit e PD dhe LSI kishin një marrëveshje të heshtur që votat e partive të vogla të numëroheshin si vota të LSI. Në këtë direktivë të heshtur, por shumë racionale që arriti të funksiononte, duket se janë grabitur dhe vetë vota të PD-së, e cila shihet qartë se ka një rënie të numrit të votuese krahasuar me vitin 2007, ndërkohë që po të llogarisim marshin normal të rritjes duhet të kishte së paku nja 15 mijë vota më shumë.

Po përse e ka stimuluar Sali Berisha rritjen artificiale të votave për këshilltarë të LSI në kurriz të partive të tjera të djathta?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, ktheni kokën pas dhe shikoni përse Sali Berisha importoi votues nga lagje të tjera të fshatit Marqinet në Vorë, për të votuar tek qendra e votimit në Gërdec, me qëllim që aty PD të dilte fituese. I fiksuar pas idesë se çdo krim në politikë pastrohet me mjete politike dhe jo me mekanizma ligjorë, Sali Berisha ishte i vendosur që tu demonstronte shqiptarëve se krimi i Gërdecit, i cili mori 26 jetë njerëzish për shkak të historisë së biznesit të djalit të tij, ishte pastruar nga vetë banorët e Gërdecit. Ju desh të investonte diçka simbolike për këtë, të thërriste 30 votues qyqarë nga një lagje tjetër të votonin aty në atë shkollë ku mungonin disa nxënës për shkak të tragjedisë dhe ‘të pastrohej’. E njëjta histori i ndodhi me Ilir Metën. Ish-zëvendëskryeministri, i cili nga dita në ditë mund të përfundojë në qeli, duhej doemos të votëbesohej me vota artificiale në Tiranë, por dhe ku të mundte më tej në Shqipëri. Në garat diskrete ku ata përfaqësuan koalicionin, dhe ku votat numëroheshin nga të dy palët, ata dështuan keq. Shqiptarët votuan thuajse kundër çdo kandidati të rëndësishëm të LSI –PD në qytetet kryesore të Shqipërisë. Ajo është vota reale “në lule të ballit” që shqiptarët i dhanë Ilir Metës dhe bashkëpunimit të tij me Sali Berishën. Ajo është vota cilësore politike që shqiptarët dhanë kundër aktit të shëmtuar të plaçkitjes së Shqipërisë nga kjo dyshe. Për shkak të atij akti, kjo dyshe ka humbur tre të katërtat e territorit të Shqipërisë, pasi zgjedhjet lokale maten pikërisht me votat që shqiptarët u japin kandidatëve që do t’i qeverisin.

Por në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha, Berisha ka vënë në funksionim një Dushk të brendshëm në favor të Ilir Metës, pikërisht për të mbajtur në lojë artificialisht LSI dhe për të përsëritur kauzën e Gërdecit, e cila ilustron idenë se shqiptarët po i vrave dhe po i vodhe të japin dhe votën. Kjo është dhe një nga objektivat fyese të vjedhjes së votave më 8 Maj. Bile ky objektiv është më i ndyrë dhe se sa vetë grabitja e pushtetit siç po tenton Lulëzim Basha në Tiranë. Duke tentuar të shtojnë artificialisht votat e LSI duke ua marrë ato LZHK, Lëvizjes së Legalitetit, partive agrare apo ambientaliste, si dhe fraksioneve të tjera të partive që vijnë nga persekutimi komunist si Balli Kombëtar, Berisha dhe Meta përveçse kanë poshtëruar koalicionin e tyre formal, kanë synuar të pastrojnë një histori të ndyrë korrupsioni, pas së cilës askush në botë nuk do të kishte tentuar më të konkurronte në politikë.

E vërteta është se shumë nga partitë e vogla të koalicionit të Berishës janë të pafuqishme të ngrenë zërin kundër tij në këto momente, pasi janë nën presionin e mbijetesës nga thërrimet e pushtetit. Por ky proces votimi ka nevojë për një hetim real edhe për këto vota të devijuara dhe të lexuara qëllimisht gabim për të fryrë votat fiktive të një grupimi politik me damkë kriminale për shqiptarët. Në koshiencën politike të Sali Berishës, që nuk ka dalë kurrë para drejtësisë, rri ndezur gjithmonë një shqisë e cila tenton të pastrojë historinë e tij poltikisht. Meqë vrau në Gërdec për shkak të djalit të tij dhe shqiptarët e urryen, ai sajoi gjithçka për një kuti të mjerë votimi aty që të shpallej i larë dhe si fitues në Gërdec. Meqë bashkëpunëtori i tij kryesor në këtë qeveri u kap duke vjedhur para syve të miliona shqiptarëve, ai po bën gjithçka ta pastrojë politikisht duke fyer shqiptarët, të cilët të dyfishokan votat nëse ti kapesh duke vjedhur. Meqë Lulëzim Basha vrau më 21 Janar edhe në emër të pushtetit të familjes së tij, ai është gati të fusë Shqipërinë në luftë për t’i dhënë atij mandatin në tavolinë. Ky është politikani i parë në historinë e këtij vendi, por druaj se dhe në botë, që po përpiqet t’i thotë popullit të vet se sa më shumë të vrasësh dhe sa më shumë të vjedhësh, aq më shumë votohesh. Natyrisht ky është një mesazh i trukuar, një mesazh fallco, që vjen nga trukimi i zgjedhjeve dhe futja e duarve në to, por Sali Berisha e ka betejë të jetës së tij t’i japë legjitimitet krimit të vrasjes dhe vjedhjes përmes krimit të prekjes së votës.

KOMENTE