English

PD: KQZ të zbatojë standard të njehsuar, pavarësisht se për kë shkon vota

Tiranë, 27 maj 2011, NOA- Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për pranimin e rezultatit cilido qoftë ai.

“Mbrëmë, Partia Demokratike i qëndroi premtimit të saj se do të kërkonte rivlerësimin e votave të kontestuara pa marrë parasysh se cili do të ishte rezultati aktual për zgjedhjet në Tiranë dhe ndikimi i rivlerësimit të këtyre votave në rezultatin përfundimtar. PD ka marrë këtë vendim, në mënyrë që së pari të garantohet vlerësimi më i drejtë i çdo vote e çdo zëri të qytetarëve shqiptar, si dhe për faktin se sistemi ynë zgjedhor ka kontestin si procesin kryesor të garancisë për transparencë të votës”, deklaroi Mustafaraj.

Ajo theksoi se, gjatë gjithë procesit zgjedhor Partia Demokratike ka bërë thirrje për një proces të drejtë, transparent dhe të saktë, ku çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet.

Sipas saj, ende ekziston një numër i vogël votash të kontestuara duke theksuar se shqyrtimi i tyre nuk ka gjasa të ndryshojë shumë rezultatin e zgjedhjeve në njërin apo tjetrin drejtim, por tha ajo, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet pasi procesi duhet të ketë një standard të njehsuar.

Mustafaraj deklaroi se, “Deri tani zëri i disa qytetarëve është bërë i pavlefshëm nga njëra ose tjetra palë, dhe nëse pala kontestuese beson se ato vota janë të vlefshme, atëherë ato vota duhet të rivlerësohen në mënyrë që zëri i çdo qytetari të dëgjohet, dhe sistemi zgjedhor të funksionojë plotësisht në përputhje me ligjin”.

Sakaq ajo tha se, Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga kërkesa për rivlerësimin e votave në dy kuti votimi, në të cilin kandidati Rama ka fituar me më shumë se 200 vota, por që të gjitha fletët e votimit në këto kuti ishin hedhur së bashku me kundrafletët, duke mbajtur si kriter themelor të vlefshmërisë së votës, shprehjen e qartë të vullnetit të zgjedhësit.

Zëdhënësja e bluve u shpreh se, Partia Demokratike, vlerësoi se për këtë rast, të mbysësh zërin e mbi 1000 qytetarëve për shkak se zyrtarët e zgjedhjeve nuk kanë hequr kundrafletën është e papranueshme pavarësisht nga avantazhi zgjedhor që kjo kërkesë do të mund të sillte.

Në vijim të kësaj çështje Mustafaraj deklaroi se, Partia Demokratike ka besim se KQZ-ja do të zbatojë një standard të njehsuar pavarësisht se për cilin shkon vota, dhe do ta transmetojë shqyrtimin e votave drejtpërdrejt në media për të garantuar transparencën me të cilën ka punuar deri më sot.

Sipas saj, çështjet teknike nuk duhet të pengojnë respektimin e vullnetit të votuesit dhe shprehjen e tij në rezultatin përfundimtar, duke theksuar se, zëri i të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohet.

a.y/NOA

KOMENTE