English

Topi-Jahjaga, bisedë kokë më kokë në Varshavë

Varshavë, 27 maj 2011 NOA - Presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Pasi falënderoi Shqipërinë për të gjithë ndihmën që gjatë gjithë kohës i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende shembull për marrëdhënie shumë të mira. Presidentja Jahjaga theksoi nevojën e shtimit të angazhimit për bashkëpunim edhe më konkret, në shumë fusha, duke përfshirë arsimin, kulturën, investimet e përbashkëta në ekonomi, në energjetikë e të tjera. “Kemi resurse të përbashkëta për zhvillim ekonomik dhe njerëzit tanë janë të orientuar te njëri-tjetri sidomos në zonën kufitare dhe duhet t’i shfrytëzojmë këto përparësi me programe konkrete”, tha Presidentja Jahjaga. Ajo gjithashtu theksoi faktin se Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara një varg marrëveshjesh bashkëpunimi, por që duhet të bëhet edhe më shumë në implementimin e tyre. Jahjaga gjithashtu theksoi rëndësinë e madhe që ka angazhimi i Shqipërisë në lobimin për sigurimin e sa më shumë njohjeve për Republikën e Kosovës, ndërsa shtoi edhe një herë nevojën e kontakteve sa më të shpeshta në mes të dy vendeve. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pasi uroi zonjën Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Kosovës, theksoi se zgjedhja e saj kontribuon në stabilitetin në Kosovë dhe është në interes të qytetarëve të vendit. Topi e njoftoi Presidenten Jahjaga për zhvillimet në Shqipëri, sidomos për situatën pas zgjedhjeve të fundit. Edhe Presidenti Topi shtroi nevojën e kontakteve sa më të shpeshta midis Tiranës dhe Prishtinës. Ai gjithashtu i bëri ftesë Presidentes Jahjaga për vizitë zyrtare në Shqipëri.

e.t/NOA

KOMENTE