English

Topi nga Varshava: Pavarësisht debateve, politika në unison për integrimin

Varshavë, 27 maj 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi, mori pjesë gjatë ditës së sotme në takimin e liderëve të 17 shteteve në Varshavë, me ftesë të Presidentit të Polonisë, Bronislav Komorovski.

Gjatë kësaj veprimtarie, Presidenti Topi mbajti fjalën e rastit në të cilën ku në mënyrë të veçantë u ndal në arritjet e vendeve të rajonit ballkanik në drejtim të konsolidimit të demokracisë së brendshme, të forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë larg retrospektivës së egër të luftrave ndëretnike si dhe me vizionin e përbashkët dhe aspiratën e madhe të integrimit evropian dhe euroatlantik.

Ai shprehu vlerësimin për praninë e Kosovës në këtë tryezë, duke thënë se, “Më vjen mirë që sot këtë mundësi do ta ketë në këtë tryezë të nderuar që ta shpalosë Presidentja e nderuar e Kosovës, e cila që në hapat e parë të misionit së saj e ka demonstruar vizionin e bashkëpunimit dhe besoj të gjithë jemi dakord që duke pasur si pikë referimi Evropën, në mënyrë absolute bien të gjitha referencat e retrospektivës së errët që lidhet me betejat ndëretnike dhe të gjithë së bashku e shikojmë veten në standardet evropiane”.

Ai u ndal edhe në arrestimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, duke thënë se, është një lajm i gëzuar që risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon.

Më tej ai deklaroi se, “Ky moment duhet shfrytëzuar për të rilançuar edhe njëherë të gjithë atë vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur dialogun politik për t’iu drejtuar vizionit të integrimit me një forcë, e cila duhet të sinkronizohet nga i gjithë lidershipi politik i Ballkanit për të mos humbur kohë me diskutime që i takojnë një të kaluare të egër, kryesisht ajo që lidhet me betejat dhe luftërat ndëretnike në Ballkan, për të gjetur urat e bashkëpunimit dhe besoj që shembuj konkretë, ne sot kemi me shumicë”.

Sakaq ai shtoi se vetëm pak vite më parë problematika e Ballkanit ishte tjetër, ku raporti midis vendeve ballkanike ishte gati i ftohtë, ndërsa sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës.

Presidenti Topi, vuri në dukje se sot më shumë se kurrë lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike.

Kreu i shtetit nga Varshave theksoi se, Shqipëria ka mundësinë të demonstrojë elementë pozitivë të arritjeve të veta dhe se pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit.

Në fjalën e tij ai u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë,duke thënë se ai do të jetë një moment i afërt kohor.

Në vijim, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të agjendës prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së, duke shprehur besimin për mirëpritjen e anëtarëve të rinj.

a.y/NOA

KOMENTE