Prishtinë, 27 maj 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një deklarate për mediat reagoi lidhur me grevën e urisë në të cilën janë futur luftëtarët e lirisë, tashmë veteranë e invalidë të UÇK-së.
“Veteranët dhe invalidët e luftës çlirimtare në Kosovë janë neglizhuar nga institucionet e posaçërisht nga qeveria. Ata përdoren vetëm atëherë kur rrezikohet pozita e kryeministrit apo e ministrave, të cilët që moti i kanë shkelur parimet dhe i kanë braktisur idealet për të cilat luftoi populli i Kosovës. Ata përdoren edhe atëherë kur nevojiten si rekuizita ceremoniale për të shënuar përvjetorët e luftës me të cilët politikanët e sotëm mundohen të fshehin dështimin e tyre”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
Më tej theksohet se, një trajtim i tillë ndaj atyre që vunë jetën në rrezik për të çliruar Kosovën është i turpshëm.
Sakaq nga ana e saj kjo lëvizje ka shprehur mbështetje, duke thënë se, është inkurajues fakti se grevistëve po iu bashkohen shokët e tyre, dhe këtë e tregon fakti se nga 27 sa ishte numri ditën e parë ka arritur në 78.
Vetëvendosje i ka përkrahur dhe mbështetur kërkesat e protestuesve duke thënë se, vlerat e luftës çlirimtare dhe roli historik i UÇK-së duhen të përfshihen në Kushtetutë, duke shtuar më tej se duhet aprovuar menjëherë ligji për vlerat e luftës duke konsultuar edhe kritikat dhe vërejtjet e luftëtarëve.
Vetëvendosje kërkon gjithashtu edhe trajtimin e invalidëve dhe veteranëve të luftës që të bëhet nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo vetëm nga ajo e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, ndërsa luftëtarëve të UÇK-së u duhet dhënë imuniteti që të mos ndiqen penalisht për periudhën e luftës çlirimtare.
a.y/NOA