Takhari, 28 maj 2011 - Një sulmues vetëvrasës dyshohet se ka sulmuar një zonë ku është i vendosur guvernatori i krahinës veriore të Takharit në Afganistan. Sulmi ka vrarë shtatë persona.
Zëdhënësi i zyrës së guvernatorit në këtë zonë, deklaroi se tre ushtarë gjermanë dhe katër afganë, përfshirë edhe shefin e policisë së rajonit janë në mesin e të vdekurve.
Radio Free Europe citon zëdhënësin të ketë thënë se së paku nëntë persona të tjerë janë lënduar gjatë shpërthimit.
Kutbudin Kamal, një këshilltar i lartë i guvernatorit të zonës, ka thënë se guvernatori është në mesin e të lënduarve.
Forcat e NATO-s, e kanë konfirmuar faktin se në mesin e trupave të tyre ka pasur viktima.
Një zëdhënës i talibanëve, që nuk ka pranuar të identifikohet, ka kontaktuar agjencinë franceze të lajmeve, AFP, dhe i ka thënë se militantët e marrin përgjegjësinë mbi sulmin e kryer.