Athinë, 28 maj 2011, NOA- Greqia është në rrezik që të mos marrë pjesën e pestë të 12 miliardë eurove të kredisë nga ndërkombëtarët gjatë muajit të ardhshëm.
Shkak për këtë është bërë marrëveshja politike në vend, gjë të cilën e ka theksuar edhe komisioneri europian Olli Rehn, i cili theksoi se koha po mbaron dhe për këtë duhet arritur marrëveshja sa më parë.
Ndërsa në vend vijojnë protestat e qytetarëve kryesisht në Selanik dhe Athinë, Kryeministri Papandreu nuk mundi të sigurojë konsensusin e nevojshëm politik ndërpartiak, kërkuar si kusht nga trojka për livrimin e parave por edhe akordimin e një kredie të re prej 60 miliardë eurosh për evitimin e falimentimit të vendit dhe vazhdimin e reformave.
Mediat greke raportojnë se mbledhja e krerëve partiakë, nën kryesinë e Presidentit Karolos Papulias, përfundoi pa rezultat.
“Do të vazhdojmë përpjekjen e konsensusit kombëtar për të mirën e vendit me një synim: të shpëtojmë atdheun por dhe ta ndryshojmë rrënjësisht”, deklaroi Kryeministri Papandreu.
a.y/NOA