English

Mlladiç do të gjykohet nga njeriu që mohoi genocidin në Srebrenicë

E shtunë, 28 maj 2011, NOA- A e mbani mend emrin e gjykatësit gjerman Christoph Flugge i cili ka deklaruar se “genocid është vetëm holokausti”? Pikërisht ky gjykatës është zgjedhur që ta gjykojë në Gjykatën e Hagës Ratko Mlladiç në procesin e tij, për krime lufte, Mlladiç që u arrestua të enjten pas 15 vjet fshehje.

Bashkë me kryesuesin Christoph Flugge në Trupin gjykues në procesin kundër komandantit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, do të jenë edhe gjykatësit Alphons Orie dhe Bakone Justice Moloto.

Kështu ka vendosur gjykatësi më i moshuar dhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Hagës, Mehmet Guney, Patrick Robinson dhe O-Gon Kwon.

Që para gati dy vjetësh, Flugge për gazetën gjermane Spiegel Online International ka dhënë një deklaratë skandaloze që “përdorimi i termit-nocionit gjenocid për të definuar krimet në Srebrenicë është i panevojshëm” dhe në vend të fjalës gjenocid të përdoret shprehja “vrasje masovike”.

Gjykatësi Flugge, në atë kohë ka qenë anëtar i këshillit debatues së ICTY-së në rastin kundër Radovan Karaxhiç. Në deklaratën e tij ai ka thënë se “genocid është vetëm holokausti” dhe kjo shprehje në të gjitha rastet tjera duhet të zëvendësohet me sintagmën “vrasje masovike”. Pas kësaj deklarate, në shtator të vitit 2009, është shkarkuar nga Këshilli debatues.

Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të ashpra në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe janë organizuar disa debate të ekspertëve të kësaj fushe, në te cilat debate interpretimi i tij për krimet ndaj këtyre vendeve janë dënuar ashpër.

Gjykatësi Alphons Orie ka konfirmuar të premten se ka ndryshime në aktakuzën kundër Ratko Mlladiç i cili akuzohet për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Srebrenicë dhe në tetë komuna tjera të Bosnjës.

Në aktakuzën e ndryshuar kundër Mlladiç, nuk përmenden krimet e bëra në Kroaci.

Ndër të tjera Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz nuk ka përjashtuar mundësinë që Ratko Mlladiçi të gjykohet së bashku me Radovan Karaxhiçin, ish- kryetarin e Republikës Serbe të Bosnjës.

Brammertz ka vlerësuar se tani për tani është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasë gjykimi kundër liderit ushtarak të serbeve të Bosnjes dhe Hercegovinës, sepse ka edhe shumë “fakte e prova të panjohura”. Ai ka pohuar se Mlladiç duhet të bëhet gati për mbrojtje dhe është vështirë të spekulohet se kohë do ti nevojitet për këtë.

(INA)/NOA

KOMENTE