English

Mlladiç, muratori që punonte në Zrenjanin për 13 Euro në ditë

Beograd, 28 maj 2011, NOA – Ratko Mlladiç, ish-udhëheqësi i ushtrisë serbe dhe një nga kriminelët më të kërkuar ndaj njerëzimit punonte vitet e fundit si murator pranë një kantieri ndërtimi në Zrenjanin, dhjetë kilometra larg Lazarevos.

Ai punonte si murator për 1300 dinarë serbë në ditë, që janë pak më shumë se 13 Euro.

Punëtorët e këtij kantieri e njihnin me emrin Milorad Komadiç.

Njëri prej punëtorëve i pyetur nga gazeta beogradase Blic rrëfeu se ai kishte rreth katër ditë që punonte në atë kantier, ku kishte ardhur si punëtor me ditë.

“Fillimisht nuk e kisha vënë re, por të gjithë thoshin se i ngjante tejet shumë Ratko Mlladiç. E në këtë pikë edhe unë nisa ta besoj” tregoi për gazetën e Beogradit një student 20-vjeçar me iniciale R.R., i cili nuk deshi të identifikohej, por që kishte punuar me Mlladiç në korrikun e vitit 2010 në zonën industriale të Zrenjanin.

Ai vijoi rrëfimin e tij duke u shprehur se asokohe Milorad Komadiç hapte vrimat për instalimin e tubave nëpër mure.

“Mlladiç ishte tejet diskret, fliste pak, e i anashkalonte përgjigjet për pyetjet që i drejtonin. Askush nuk kishte vënë re probleme të shëndetit të tij. Ai punonte veçanërisht me skavator. Dhe të gjithë vërenin tek Komadiç ngjashmërinë tejet të madhe me Ratko Mlladiç”, tha i riu.

I riu thotë se sa më shumë i sheh foton arrin të ndërmendet se Komadiç që punonte në kantierin e ndërtimit, ishte vërtet ai i tmerrshmi dhe i shumëkërkuari Ratko Mlladiç.

“Është e tmerrshme, gati gati e pabesueshme se sa shumë është plakur vetëm në një vit”, tha me habi studenti i ri.

mit/NOA

KOMENTE