Për herë të parë qysh pas rrëzimit në mes të shkurtit është folur për një dënim të ish presidentit egjiptian Husni Mubarak.
Për shkak se Mubarak kishte urdhëruar bllokimin e lidhjeve në internet, një gjykatë administrative në Kajro e ka dënuar atë sot me një gjobë deri në 23 milionë euro.
Zyrtarisht gjykata tha se e ka dënuar ish Presidentin Hosni Mubarak, dhe dy ish ministra me 90 milionë dollarë për “dëmtimin e ekonomisë” me ndalimin e internetit dhe telefonisë gjatë kryengritjes që ndodhi në janar.
Gjatë protestave në fillim të vitit autoritetet egjiptiane kishin lejuar që të bllokoheshin lidhjet për disa ditë në internet dhe lidhjet telefonike me celularë, me qëllim që të parandalonin thirrjet për demonstrime të mëtejshme.
Gjykata e pa këtë si një masë të paligjshme e cila ka "shkaktuar dëme në ekonominë e vendit". Vendimi ende nuk ka hyrë në fuqi.
Agjencia e lajmeve, AFP, e ka cituar një burim gjyqësor duke thënë se Mubarak, ish kryeministri i tij, Ahmed Nazif dhe ministri i brendshëm, Abib al Adli, janë urdhëruar që së bashku t’i paguajnë shtetit 540 milion funta egjiptiane nga fondet e tyre personale.