English

Obama firmos në distancë ligjin kundër terrorizmit

Uashington, 28 maj 2011, NOA – Shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama ka bërë realitet atë që asnjë president amerikan nuk e kish kryer më parë, firmosi ligjin e ri kundër terrorizmit duke përdorur makinën Autopen, e cila riprodhon automatikisht firmën e udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo ndodhi për shkak se Presidenti amerikan Barack Obama ndodhej në Francë dhe nuk mund të firmoste me dorën e tij ligjin e ri kundër terrorizmit për shkak të pamundësisë së mbërritjes në kohë.

Sikundër bënë me dije mediat amerikane, Presidenti Obama ndodhej në Francë, kur ai u zgjua në orën 5.45 të mëngjesit të së premtes, orë në të cilën mësoi lajmin se Kongresi Amerikan sapo kishte miratuar ligjin e ri kundër terrorizmit, i quajtur ‘Patriot Act’.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ora shënonte 23.45 e të enjtes, gjë që nënkuptonte se Obama kishte vetëm 15 minuta kohë për të firmosur ligjin e sapomiratuar, para se të krijohej një boshllëk ligjor për rënien e ligjit të vjetër.

Presidenti amerikan pas një testi të kryer autorizoi nga Franca firmosjen e ligjit në Uashington përmes përdorimit të makinës automatike Autopen, që riprodhon firmën e tij.

Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë për mediat amerikane se Shtëpia e Bardhë i kishte dhënë urdhër një anëtari të stafit të Presidentit të nisej përdrejt Europës me ligjin e miratuar për ta firmosur presidenti”.

Por, Kongresi e miratoi atë vetëm në momentin e fundit, andaj sikundër bënë me dije zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kishte më kohë të mjaftueshme për firmën origjinale të Obamës nga Europa.

E vetmja zgjidhje për këtë ishte Autopen.

“Vetëm 15 minuta nga afati i fundit i skadimit të ‘Patriot Act’, Obama i hapi dritën jeshile firmës automatike e teksti origjinal i ligjit u firmos në Shtëpinë e Bardhë duke përdorur për të parën herë makinën Autopen”, thanë burime pranë stafit të presidentit amerikan.

Autopen përdoret për të firmosur automatikisht mesazhet rutinë të presidentit, letrat për zgjedhësit, fotot, materialet e propagandës, por nuk ishte përdorur kurrë më parë për të firmosur një ligj aq të rëndësishëm.

Mediat amerikane bëjnë me dije se nuk është e pazakontë që një ligj të firmoset me makinën automatike Autopen kur presidenti nuk ndodhet në Shtëpinë e Bardhë.

Më herët, në vitin 1947 ish-presidenti amerikan Harry Truman firmosi një ligj ndërkohë që ndodhej në një hotel në shtetin Kansas.

Një vit më parë ndërsa ndodhej me pushime në ishujt Hawaii, Barack Obama firmosi ligje të ndryshme të miratuara nga Kongresi Amerikan.

Në rastin e “Patriot Act” apo ligjit të ri kundër terrorizmit kishte një skadencë të saktësuar mirë të afateve të hyrjes në fuqi të ligjit të ri, dhe afati i fundit ishte mesnata e të enjtes.

mit/NOA

KOMENTE