English

PS: Si u krye krimi elektoral në rezultatin e Tiranës

Tiranë, 28 maj 2011, NOA Update – Selia rozë dha argumentet e saj për paligjshmërinë e rezultatit paraprak të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Tiranës i shpallur pak ditë më parë nga KQZ ku kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha u shpall fitues me 81 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama.

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se kreu krim elektoral duke ndryshuar rezultatin e dalë pas numërimit të votave në KZAZ-në 49, që i dha fitoren e ngushtë me 10 vota kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.

Ruçi deklaroi sakaq se votat e kontestuara janë hedhur qëllimisht në kuti në fund të procesit të numërimit.

Ai theksoi se fakt për paligjshmërinë e rezultatit për Tiranën të shpallur nga KQZ është se pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave në KZAZ siç e parashikon ligji u manipuluan votat duke shtuar vota nëpër kuti në favor të Lulzim Bashës.

Porse në këtë pikë sipas Ruçit llogaritë nuk janë bërë mirë nga ata që i kanë shtuar votat, pasi në një numër kutish nuk përputhet numri i votave me atë të zgjedhësve.

Ruçi denoncoi se janë plot 357 vota më shumë në Tiranë, se numri i zgjedhësve, që dëshmon për prishjen e integritetit të zgjedhjeve vendore të 8 majit duke manipuluar vota në favor të kandidatit demokrat.

Këtu Ruçi bëri publike se PS ka dokumente që tregojnë se në njësinë bashkiake nr. 2 u gjetën 38 vota më shumë se zgjedhës; në njësinë nr. 3 rezultuan 38 vota më shumë se votues të saj; në njësinë nr. 6 u gjetën 43 vota më shumë se zgjedhës si dhe në minibashkinë nr. 8 janë 46 vota më shumë se zgjedhës.

Kreu i grupit kuvendor socialist tha se “Me një vështrim empirik, do të thotë se të legjitimosh vendimin e marrë nga KQZ-ja, duhet të shtosh në numërimin e votave për kryetar Bashkie, 357 vota më tepër se zgjedhës, që dëshmon se rezultati për Tiranën është i manipuluar pikërisht me numërimin e votave të kontestuara në tavolinën e KQZ-së”.

Ruçi nënvizoi se dokumentet që dëshmojnë krimin elektoral të KQZ-së do t’i dërgohen edhe partnerëve ndërkombëtarëve, si dhe organit të akuzës për ndjekje penale.

Sipas selisë rozë KQZ-në prishi rregullat e lojës pas një procesi të drejtë ligjor, duke mospërfshirë në tabelën përmbledhëse të rezultatit katër qendra votimi në Tiranë.

Nga 250 880 vota të vlefshme për kryetarin e bashkisë së Tiranës, në rezultatin e shpallur nga KQZ, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha mori 124786 vota, kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama 124705 vota dhe kandidati i Partisë Komuniste Shqiptare Hysni Milloshi mori 1394 vota.

Sipas këtij rezultati të KQZ, rezultati i dalë nga numërimi i votave në KZAZ-në 49, ku Edi Rama doli fitues me 10 vota para u përmbys duke shpallur fitues Lulzim Bashën me 81 vota më shumë se Rama pas numërimit të fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara.

mit/NOA

KOMENTE