English

Ruçi: Krimi elektoral pas përmbylljes së procesit, 357 vota më tepër se zgjedhës

Tiranë, 28 maj 2011, NOA – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi deklaroi sot se prishja e procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit nisi pas përmbylljes së numërimit të votave për kryetar bashkie në KZAZ-në nr. 49, që i përket minibashkisë 5 në kryeqytet, ku kandidati i "Aleancës për të Ardhmen" Edi Rama doli fitues me 10 vota më shumë se ai i "Aleancës për Qytetarin" Lulzim Basha.

Ruçi theksoi në një konferencë për shtyp se ishte pikërisht rënia e gongut të numërimit të votave në minibashkinë 5 momenti kur kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisën prishjen e rezultatit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, duke legjitimuar numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara si vota të vlefshme.

“Votat për kryetar bashkie janë të shtuara në këto kuti që do të thotë se prishja e procesit ka nisur pas rënies së gongut apo përmbylljes së procesit të numërimit të votave për kryetar bashkie”, deklaroi kreu i grupit kuvendor socialist.

Sipas Ruçit akti-normativ i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar dhe shtuar si vota të vlefshme në tabelën e rezultatit për Tiranën votat e kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara është i paligjshëm.

Kryetari i Grupit kuvendor të Partisë Socialiste theksoi se KQZ ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve duke shtuar 357 vota më shumë se numri i zgjedhësve.

Ruçi theksoi se Partia Socialiste ka dokumente për 117 qendra votimi, duke denoncuar se katër qendra votimi nuk janë përfshirë në rezultatin paraprak të KQZ-së.

Ai bëri me dije se në rezultatin e KQZ-së lidhur me fletët e kontestuara ka një mospërputhje mes numrave kutisë dhe procesverbaleve, si dhe numrit të fletëve të votimit dhe numrin e votuesve.

Nga kjo pikëpamje, Ruçi denoncoi kryeministrin Sali Berisha si diktator që manipuloi votat për bashkinë e Tiranës, por pa e barazuar numrin e votave me numrin e zgjedhësve.

Ruçi i bëri apel Kolegjit Zgjedhor që t’i japë fund kësaj maskarade elektorale të kryer në tavolinën e KQZ-së.

“Urojmë që këtë maskaradë elektorale të mos e ndjekë pas deri në fund KQZ apo Kolegji Zgjedhor”, tha Ruçi.

Ai publikoi të dhënat e PS-së për të gjitha qendrat e votimit në Tiranë ku janë vënë re mospërputhje shifrash.

Ai e cilësoi këtë si një tentativë të PD-së për të manipuluar procesin dhe tejzgjatjen e tij deri në ripërsëritjen e zgjedhjeve.

Kryetari i Grupit Kuvendor Socialist tha se dokumentet që disponon Partia Socialiste do t’ia paraqesë institucioneve ligjore dhe atyre ndërkombëtare.

Ndërkohë më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shtyu për ditën e hënë shqyrtimin e katër kërkesave ankimore të partive politike.

mit/NOA

KOMENTE