Tiranë, 28 maj 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli paraditen e sotme u ndal në një vizitë në ekspozitën e piktorit Ali Oseku.
Ekspozita e Osekut, piktorit që vuajti burgosjen e ndërgjegjes gjatë diktaturës komuniste, i kushtohet pikërisht lirisë, hapësirës së pafundme me ngjyra të jashtëzakonshme dhe kombinimit perfekt të tyre në funksion të universit.
Kryetarja e Kuvendit tha se ndihet e emocionuar dhe e nderuar që viziton ekspozitën e një piktori të madh shqiptar si Ali Oseku.
Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se, “Ajo që mund të them menjëherë është thjeshtësia e njerëzve dhe modestia e njerëzve të mëdhenj. Në një botë të madhe dhe më një kontribut të madh në jetën shpirtërore që përcjellin përmes artit të tyre. Eleganca, finesa, mendimi, kërkimi i lirisë, i heqjes së kufijve, i pafundësisë, i asaj që është universale në të gjitha pikturat e Ali Osekut”.
Ajo e përgëzoi piktorin për punën e bërë duke thënë se, puna e tij nderon të gjithë shqiptarët.
Në vijim, kryetarja e Kuvendit tha se do të ndihej e nderuar së bashku me deputetët, që zoti Oseku të hapte një ekspozitë në ambientet e Parlamentit të Shqipërisë.
Sakaq Topalli, mbështetur dhe nga piktori Oseku së bashku me drejtorin e Galerisë së Arteve Rubens Shima, hodhi idenë që “Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një fond të veçantë për të gjetur dhe për të bërë të tij veprat më të bukura të piktorëve të mëdhenj shqiptarë.
a.y/NOA