English

Unaza tradhtoi identitetin e ish-gjeneralit Mlladiç

Beograd, 28 maj 2011, NOA – Një unazë me një gur gjysmë të çmuar që mbante në gishtin e dorës së majtë duket se bindi agjentët sekretë të policisë serbe se Milorad Komadiç ishte Ratko Mlladiç, ish-gjenerali serbo-boshnjak, i kërkuar prej 16 vitesh për krime kundër njerëzimit.

E përditshmja beogradase Blic tregon momente të veçanta të arrestimit të Mlladiç, duke rrëfyer se gjatë momentit të arrestimit në shtëpinë e Branko Mlladiç, një kushëriri i afërt i tij, ish-gjenerali serb tha me zë të lartë kushtrues, “ Bravo djema, jam pikërisht unë njeriu që kërkoni. Uluni, të pini diçka. Branko, ofroju djemve diçka të ftohtë për të pirë e diçka për të ngrënë”.

“Ja tek e keni kartën time të identitetit dhe teserën ushtarake”, ishin fjalët që Mlladiç artikuloi në momentin kur agjentët e zunë në shtëpinë e kushëririt.

Sikundër bën me dije Blic, ai fshihej në shtëpinë e kushëririt të largët Branko prej afro dy muajsh.

Gazeta nënvizon se mbrojtësit e tij ia kishin besuar kushëririt mbajtjen e Mlladiç, pasi nuk kishin më para.

Agjentët e sigurisë kishin disa muaj që e mbanin nën kontroll shtëpinë e kushëririt të Mlladiç në Lazarevo, e ditët e fundit në kopshtin e saj kishin parë një person të moshuar, që mund të ishte Ratko Mlladiç, sot plot 69 vjeç.

Kur policët hynë në shtëpi ata panë në sofër personin që Branko ua prezantoi si Milorad Komadiç.

Kur u gjend para policëve ish-gjenerali rrotulloi unazën në gisht dhe orën e tij duke ua dhënë policëve.

“Dorëzojuani familjarëve të mi”, u tha ai agjentëve të policisë duke mos bërë as hapin më të vogël për t’u shpëtuar.

Por, vetë gjenerali, siç përshkruan gazeta beogradase i vetëdijshëm se arratia e tij kish marrë tashmë fund i vuri duart në kokë kushëririt Branko, dhe nisi të qajë.

Madje kur e pyetën nëse kishte armë, Ratko Mlladiç iu përgjigj agjentëve kështu: “Ç’gjeneral do të isha nëse nuk do të kisha armë. Ja tek i keni dy pistoletat e mia”, tha Mlladiç duke ua dorëzuar ato policëve.

mit/NOA

KOMENTE