Beograd, 28 maj 201, NOA – I plakur shumë në vetëm pak kohë, 69-vjeçari Ratko Mlladiç flet vazhdimisht për vajzën e tij Ana, e cila u vetëvra në vitin 1994, dhe ka dëshirë që të shkojë e të qajë pranë varrit të saj.
Kështu u shpreh pas takimit me të në qelinë speciale në Gjykatën për krimet e luftës në Beograd, avokati mbrojtës Milos Saljiç.
Sipas Saljiç, Mlladiç dyshon se kjo dëshirë nuk do t’i plotësohet pasi tashmë është mbyllur përfundimisht çështja e ekstradimit në Hagë, dhe ai do të niset me këmbët e tij përdrejt Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.
Duke rrëfyer për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, avokati u shpreh i shqetësuar për shëndetin e Mlladiç duke thënë se “Mlladiç madje ka kërkuar deri edhe t’i sjellin në qeli trupin e të bijës së varrosur 17 vite më parë”.
Me këtë episod të rrëfyer, avokati Milos Saljiç argumenton kërkesën e mbrojtjes që Ratko Mlladiç të mos ekstradohet në Hagë, duke e arsyetuar me faktin se gjendja shëndetësore e ish-gjeneralit është alarmante dhe për më tepër, ai ka probleme të forta psikike.
Avokati i Mlladiç bëri me dije se klienti i tij nuk është në gjendje të bëjë një bisedë normale, pasi ai vuan nga probleme psikike që nuk e lejojnë të logjikojë normalisht.
Megjithatë ish-gjenerali serbo-boshnjak pritet të ekstradohet në 30 apo 31 maj përdrejt Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, ku do të gjykohet për genocid dhe krime kundër njerëzimit.
mit/NOA