English

Eshtrat e Sokol Sokolit e Tom Ndojës vijnë në Tiranë

Shkodër, 29 maj 2011, NOA - Eshtrat e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, dy ish-të burgosurve të pushkatuar nga regjimi pas revoltës së Qafë Barit, të cilat u gjetën pas 27 vite kërkimesh nga familjarët janë dërguar në Tiranë për t’u ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja drejtuan ish-të burgosurit në burgun e Qafë Barit në Pukë, në revoltën e 20 majit të vitit 1984 duke shënuar një nga reaksionet më të rëndësishme në kampe-burgjet e diktaturës komuniste.

Eshtrat e dy të pushkatuarve u gjetën dje në fshatin Kuç të Shkodrës, pranë antenave të Radio Shkodrës, të varrosur në një varr të përbashkët nga ekzekutuesit e tyre.

Sipas policisë së Shkodrës dy skeletet e të pushkatuarve u gjetën të vendosur pranë njëri-tjetrit, gjatë kërkimeve të familjarëve në zonën e skicuar si vendi i dyshuar nga Ministria e Brendshme.

Tropojani Sokol Sokoli dhe shkodrani Tom Ndoja u gjetën pas një kalvari të mundimshëm kërkimesh nga familjarët, në varrezat e fshatit Kuç të komunës Guri i Zi në Shkodër.

Dy të ekzekutuarit nga regjimi komunist Sokol Sokol dhe Tom Ndoja u vunë në ballë të revoltës në burgun e Qafë Barit në Pukë, bashkë me ish-të burgosurit e tjerë Petrit Bazelli, Anastas Dhamo, Nue Pisha, Kosta Gjordemi etj.

Pas ekzekutimit faqe të gjithëve të udhëheqësit të revoltës Sokol Sokoli, fatin e ekzekutimit e pësuan edhe të tjerët, njëri prej tyre Tom Ndoja.

Më shumë se 30 të burgosur u ridënuan dhe u dërguan drejt burgut të Burrelit, ndërsa të burgosurit e tjerë pjesëmarrës të revoltës së Qafë Barit u lidhën këmbë e duar e u rrasën nëpër biruca.

mit/NOA

KOMENTE