Monako, 29 maj 2011, NOA - Sebastian Vettel është fituesi i garës së Monakos në Formula 1. Piloti gjerman e përfundoi garën i pari me 0.6 të qindat e sekondës diferencë ndaj Fernando Alonsos, që u rendit i dyti.
Kjo është fitorja e 5-të në këtë sezon për gjermanin, i cili është shkëputur edhe më shumë në krye të klasifikimit të Formula 1.
Piloti i Red Bullit ndoqi strategjinë me 1 pit stop, e cila e nxorri fitues të garës së 6-të të Formula 1 për këtë sezon.
Fitorja për Vettel nuk ishte dhe aq e lehtë pasi deri në xhiron e fundit ndjeu presionin e madh të pilotit të Ferrarit, Fernando Alonso, i cili u rendit i dyti, ndërsa në vend të tretë u rendit Xhenson Baton me McLaren Mercedes.
Gara e Monakos ishte e fortë dhe me emocione.
Pas përplasjes së dy pilotëve Petrof dhe Algresari në pistë u shfaq makina e sigurisë, me daljen e së cilës rifilloi gara.
Gara radhës e Formula 1 do të zhvillohet në Kanada më 12 qershor.
mit/NOA