Berlin, 29 maj, NOA - Raportohet se 10 persona kanë vdekur në Gjermani nga përhapja e një bakterie e quajtur, E.coli, që dyshohet se është shkaktuar nga trangujt e helmuar nga Spanja.
Zyrtarët thonë se së paku 276 persona të tjerë raportohet se kanë treguar shenja të infektimit nga bacteria E.coli, duke shfaqur komplikime të mëdha. Shumica e të infektuarve janë raportuar në Gjermani, mirëpo disa raste ka pasur edhe në Suedi, Danimark, Holandë dhe Britani.
Zyrtarët në Republikën Çeke, thonë se ka indikacione që tranguj të helmuar janë eksportuar në këtë vend dhe në Austri, Hungari dhe Luksemburg. Qendra Evropiane për Kontrollimin dhe Ndalimin e Sëmundjeve, organizatë kjo që merret me monitorimin e sëmundjeve në BE, ka thënë se përhapja e kësaj bakterie ndikon më së shumti te të rriturit, në veçanti femrat.
NOA