Prishtinë, 29 maj, NOA - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka hedhur poshtë çdo mundësi diskutimesh për ndarjen e Kosovës. Pas kthimit nga Varshava, ku mori pjesë në samitin e vendeve të Europës Qendrore, Jahjaga theksoi për mediat se riorganizimi i brendshëm i Kosovës dhe çështja e statusit nuk diskutohen.
“Çështja e dialogut me Republikën e Serbisë dhe Republikës së Kosovës sigurisht hap njërën nga temat që është diskutuar në tryezat e rrumbullakëta dhe qëndrimi ynë ka qenë si qëndrimet që gjithnjë kam pasur, se ky është një dialog teknik që diskuton çështje teknike, që lehtësojnë jetën e qytetarëve si të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe të Republikës së Serbisë dhe çdo çështje tjetër që hapet sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjes së statusit këto janë çështje që e kanë “vijën e kuqe”. Unë disa herë e kam përmend çështjen e “vijës së kuqe” dhe këto nuk do të jenë temë e diskutimeve fare”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka vlerësuar pjesëmarrjen në samitin e liderëve të Evropës Qendrore në Varshavë e ka cilësuar shumë të rëndësishme, pasi për herë të parë Kosova ka qenë e pranishme në një ngjarje të nivelit të lartë.
“Unë sot u ktheva nga një udhëtim jashtëzakonisht i mirë dhe jashtëzakonisht i suksesshëm dhe kthehem me disa porosi dhe disa mesazhe për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës dhe se pjesëmarrja ime për herë të parë e Kosovës në një samit të tillë në nivel të njëjtë me të gjithë presidentët e Evropës Qendrore dhe Juglindore është një e arritur shumë e madhe e Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, veçanërisht e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Këto komente presidentja i bëri të sot në një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pas kthimit nga Varshava, ku mori pjesë në samitin e liderëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Gjatë këtij samiti, presidentja Jahjaga pati takime të shumta me burrështetas nga bota, duke përfshirë edhe presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.
a.k/NOA