Dovill-Francë, 29 maj 2011, NOA - Grupi i tetë vendeve të G 8-ës ka mbështetur unanimisht kandidaturën e ministres se Financave të Francës, Kristin Langard për postin e kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm francez Alen Zhype (Alain Juppe).
Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kanadaja, Japonia dhe katër vendet e tjera të grupit të G 8-ës që vijnë nga Bashkimi Europian, Franca, Anglia, Gjermania dhe Italia kanë shprehur qëndrimin e tyre pro kandidaturës së Langard.
“Mes 8 krerëve të shteteve dhe qeverive, përfshirë Presidentin e Komisionit Europian dhe kreun e Këshillit të Europës që ndodheshin në samitin e G 8-ës, nuk kishte asnjë kundërshtim për kandidaturën e Kristin Langard”, deklaroi Zhype për rrjetin televiziv francez Canal+.
Vetë ministrja franceze e Financave pritet të ndërmarrë një tur në Brazil për të marrë mbështetjen e ekonomive në zhvillim, ndërkohë që e vetmja kandidaturë e shfaqur deri më tani përballë Langard është drejtori i Bankës Qendrore të Meksikës, Agustin Karstens.
mit/NOA