Tiranë, 29 maj, NOA – Thellimi i krizës ekonomike greke kërkon marrjen e masave dhe nga vendet fqinje. Për këtë qëllim, Konfederata e Industrive të Shqipërisë, (Konfindustria), kërkon nga qeveria shqiptare që të ndalojë daljen e paligjshme të parave jashtë vendit.
“Konfindustria, duke marre shkak nga njoftimet e fundit të institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë greke për vazhdimin e gjendjes tepër të vështirë ekonomiko-financiare të vendit fqinj për vitin 2011, si dhe duke vlerësuar përballjen e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e saj, i kërkon institucioneve shtetërore, që si hap të parë të ndalin sa më shpejt dhe me ҫdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare”, tha sot në një konferencë për mediat, administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku.
Buxhuku shtoi se një kusht i rëndësishëm për ruajtjen e kapitalit është “është zbatimi me rreptësi i ligjeve në fuqi nga Qeveria, Banka e Shqipërisë dhe sidomos Shërbimi Informativ Shtetëror”. Nga ana tjetër, ai thekson se një masë efikase për përballimin e situatës do të ishte dhe aplikimi i shpejtë i faljes fiskale. Gjë që, sipas tij, do të sillte dhe shtimin e parave që do të hynin në vend.
“Duhen ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për bërjen të mundur të shtimit të të hyrave financiare nga jashtë në ekonominë kombëtare, ku përmendim para së gjithash zbatimin në kohë të shpejtë të Faljes Fiskale në fuqi për qytetarët shqiptare me banim brenda dhe jashtë vendit përfshi edhe Greqinë”, tha Buxhuku.
Ai shton se nëse qeveria merr këto masa, ekonomia shqiptare nuk preket nga kriza, por edhe mund “të përfitojë ndjeshëm, në kohë afatgjatë nga kriza e vendit fqinj, në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptare”.
a.k/NOA