English

Mlladiç do të ekstradohet në Hagë të hënën ose të martën

Beograd, 29 maj 2011, NOA – Ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, i arrestuar në 26 maj, pas 16 vitesh kërkimi, pritet të ekstradohet nga Serbia drejt Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, të hënën apo të martën e javës që po vjen.

Lajmin e ka bërë publik vetë gjyqtari turk Mehmet Guney, të cilit i referohet agjencia turke e lajmeve Anadolu.

“Mlladiç mund të mbërrijë në Hagë të hënën apo të martën dhe sipas rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare ai do t’i prezantohet menjëherë gjyqtarit”, mësohet të ketë thënë Mehmet Guney, i cili kryen funksionin e presidentit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

Guney tha se Mlladiç do të transferohet në Hagë pas kryerjes së të gjitha praktikave të nevojshme administrative e financiare, që kanë të bëjnë me transferimin.

Trupi gjykues, që do të gjykojë Ratko Mlladiç për akuzat për gjenocid e krime kundër njerëzimit përbëhet nga tre gjyqtarë, një gjerman, një afrikanojugor dhe një holandez.

mit/NOA

KOMENTE