English

Opozita vs. opozitës

Fituesi i Tiranës duhet të lexojë së pari kritikat dhe vërejtjet që janë publikuar në deklaratat e shumta, të zbulojë dhe të kuptojë se ç’ndodh në pjesën e errët të hënës, për ta vlerësuar më pas dhe për ta gëzuar siç duhet shkëlqimin e saj

Nga Elsa Ballauri

Mospranimi i kritikës është një fenomen tashmë tipik që i ka shkaktuar shumë dëm politikës shqiptare. Të marrësh për diskutim vetëm lavdërimet, vlerësimet dhe të mos përmendësh kritikat dhe vërejtjet, është si të duash të sabotosh punën tënde. Mospranimi është jo vetëm dështim psikologjik, një mënyrë burracake për të mos u përballur dot me vështirësitë dhe për të mos pranuar dhe kapërcyer sfidën, por edhe shkatërrues për punën që është ndërtuar…, për të cilën është shpenzuar mund dhe kohë. Nëse e shohim me vëmendje historinë e politikës shqiptare në këta 20 vjet, menjëherë dallojmë se një nga dëmet e kryera është për shkak se nuk pranohet vetëkritika. Si rrjedhojë e kësaj psikologjie kemi një raport të gabuar të forcave dhe e meta e shkaktuar është mungesa e rëndësisë që ka marrë opozita.

Opozita nuk kuptohet akoma në Shqipëri si një grupim konstruktiv dhe zhvillues. Kjo ndodh sepse së pari lufta politike është shumë e ashpër. Luftëtarët përdorin artileri të rëndë kundrejt njëri-tjetrit, metodat e zgjedhura janë nga më të fortat, më të dhunshmet. Skena e betejës i ka lodhur luftëtarët, por më shumë të lodhur ndihen ata të opozitës, sepse iu është dashur të përballen me luftën e atyre që kanë pushtetin. A bëhet kjo lloj lufte si rezultat i së vetmes metodë primitive që njohim, apo ka një qëllim dinak të mazhorancës për ta mbajtur opozitën në këtë lloj niveli të tensionuar dhe për ta lodhur atë. Edhe sikur të jetë kjo e fundit, pse opozita nuk ka mundur ta kuptojë këtë dredhi dhe ta përballojë sulmin me një politikë të zgjuar?… Kujt ka dashur t’i përshtatet, psikologjisë së mazhorancës apo psikologjisë së popullit? Këto janë çështje të diskutuara kaq herë, por që, për fat të keq, ne i marrim si postulate dhe nuk shpenzojmë kohë për t’i analizuar, me qëllim që t’i aplikojmë ndryshe…

Së dyti, e detyruar nga historia apo nga fati, apo nga rrethanat, është vetë opozita ajo që e ruan modelin e gabuar, është vetë ajo që e mban në këmbë këtë model. Kontradiktat e mazhorancës me opozitën duhen kuptuar si debat të kundërtash apo të ndryshmesh që kanë një qëllim të mirë; të sjellin ndryshime pozitive, të sjellin prosperitet dhe të ndihmojnë që ky debat të ngrihet në nivel elitash politike. Nëse ky debat kthehet në luftë dhe, akoma më keq, kjo luftë kthehet në prag ekzistence, atëherë opozita e humb vlerën e saj: shkatërron veten dhe vendin.

Opozita ka një shans të shkëlqyer, duke qenë në rolin e kritikuesit dhe sfiduesit të parë, ajo është në një pozicion shumë më komod për të krijuar elitat e vërteta politike, atë klasë që i mungon Shqipërisë dhe që nëse nuk realizohet dot, opozita do të mbetet gjithmonë në nivelin e dështakut. Në vend të ndërtimit të elitave politike, që janë të domosdoshme në këtë proces të krijimit të sistemit të ri demokratik, opozita ka krijuar modelin e “elitave të vulgut”. Me kalimin e kohës, me acarimin akoma më të madh të situatave dhe mendjeve, opozita nuk ka krijuar dot strategji konstruktive; thirrjet për luftë “dhëmb për dhëmb”, fjalori i rëndë dhe i vrazhdë, fyerjet etj., marrin një kuptim të frikshëm që i zhgënjen qytetarët. Por, akoma më shumë i ofendon ata… Jam e bindur se shumë shqiptarë ndihen të prekur kur shohin se lufta e llojeve është shumë e ashpër dhe bëhet në emër të tyre.

Qytetarët që presin udhëheqësit e fisëm të opozitës, në mënyrë që t’iu thonë disa fjalë magjike që flasin për bashkëpunim, për mirësi e tolerancë, shohin përditë e më shumë se nuk do ta kenë të afërt këtë fat. Lojtarët “e fisëm” nuk e zhveshin dot mburojën dhe nuk e lëshojnë heshtën nga dora. Sidomos në momente të rënda, kur kontradikta thellohet më shumë, ka gjithmonë një shans për të ndryshuar situatën. Aktualisht, opozita mund ta kishte hequr njëherë e përgjithmonë kostumin e luftës së sheshit të betejës që ka disa vjet që është vjetruar në trup. Nëse ajo do të ndryshonte politikën e forcës me atë të diplomacisë, vetëm se do të fitonte pikë më shumë…

Me këtë nivel vlerash po luhet prej vitesh në Shqipëri. E marr me mend që ndarja drastike në politikë, e cila është thelluar në këto dy vite edhe më shumë, përfaqësohet nga shumë njerëz që do të pyesin menjëherë: “Pse, vetëm opozita, po ata… të tjerët?”. Dhe kështu është. Mazhoranca ka të njëjtat tipare, por nw rolin e saj ndihet më komode dhe, si rrjedhim, edhe më “mendjemadhe”, “moskokëçarëse dhe më indiferente. Për sa kohë ka pushtetin në dorë, përgjegjësia e mazhorancës mbahet mbi strategjitë e shkruara e të vulosura – gjë që është më konkrete dhe më e manovrueshme.

Ndërkohë, opozita pritet të jetë struktura më interesante, më fleksibël, më përparimtare dhe më energjike, madje edhe më shpirtërore, sepse ka shanse të krijojë modelin e një strategjie më të re në kohë. Opozita është në gjendje t’i bëjë për vete të rinjtë më lehtë, sepse ata natyrshëm janë më të prirë ndaj antikonformizmit. Opozita ka përfytyrime dhe frymëzime më të pakornizuara për përsosjen e shtetit.

Dhe pikërisht kjo e fundit duhej të ishte e para në agjendën e një opozite largpamëse dhe të motivuar për të ndihmuar njerëzit. Nëse strategjia e saj do të ishte e bazuar mbi bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, suksesi do të ishte i madh.

Por nuk ndodhemi në këto ujëra… Jemi në kushte nervozizmi dhe armiqësie, ku opozita nuk mund të jetë komode as për të vendosur rregullat e lojës. Mungesa e opozitës shqiptare në Parlament për dy vjet është një humbje me të cilën ende nuk jemi përballur: efekti i saj negativ do të vazhdojë gjatë.

Gjithashtu, për fat të keq, opozita (dhe deri tani çdo opozitë në Shqipëri), nuk është në gjendje të kapë yllin e saj (që siç thoshte Romen Roland, “secili ka yllin e vet, por i zoti është ai që e kap atë”). Duke e kuptuar teorinë e përmirësimit dhe ndryshimit në kahun pozitiv, për të mirën e të gjithëve, por edhe për të mirën e vetë grupit që kërkon të kapë dhe gëzojë pushtetin, një opozitë ekstremiste ka një ndikim të dëmshëm edhe në krijimin e edukatës ekstremiste. Le të mos e gënjejmë veten dhe të themi se asgjë s’ka ndodhur. Nuk është e vërtetë. Duhet ta shohim me shqetësim se ç’po i ndodh shoqërisë shqiptare nga inati i tejskajshëm dhe i tejzgjatur. Sidomos ata që kanë jetuar dhjetëvjeçarin e parë të viteve ’90, nuk besoj se ndihen rehat duke dëgjuar të njëjtat histori protestash që s’të çojnë gjëkundi dhe, ç’është më e keqja, fjalorin armiqësor politik. Kjo lloj skeme trashëgohet pa kuptuar tek të rinjtë, për të cilët të jetosh në një realitet të tillë, është normale.

Fituesi i Tiranës ende nuk është shpallur, por kushdo qoftë ai, është e rëndësishme të vihet përpara pyetjes së madhe: Ç’gabime kam bërë dhe si duhen ndrequr ato…? Fituesi i Tiranës duhet të lexojë së pari kritikat dhe vërejtjet që janë publikuar në deklaratat e shumta, të zbulojë dhe të kuptojë se ç’ndodh në pjesën e errët të hënës, për ta vlerësuar më pas dhe për ta gëzuar siç duhet shkëlqimin e saj.

KOMENTE