Shkodër, 29 maj, NOA – Dy persona janë arrestuar në qytetin e Shkodrës pasi kanë tentuar të vrasin njeri-tjetrin me armë zjarri pas një konflikti. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Ahmet Haxhia”, dje rreth orës 23:40. Në konflikt janë përfshirë Zamir Kadrija, 35 vjeç dhe Xhevdet Xhufelaj, 56 vjeç, të dy banues në të njëjtën lagje. Fillimisht dy personat janë konfliktuar në banesën e Zamir Kadrijas dhe më pas kanë shkuar dhe kanë marrë armët.
Pas sinjalizimit të policisë, forcat e rendit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shmangien e vrasjes. Sipas policisë, të dy personat janë gjetur me armë.
Konkretisht, Xhevdet Xhufelaj është kapur nga policia tek hyrja e pallatit me automatik model 54, me një krëhër me 20 copë fishëk, dhe me një fishek në folenë e armës. Xhufelaj ishte në pozicion zjarri, në pritje për të gjuajtur 35 vjeçarin. Po ashtu, sipas policisë, edhe Zamir Kadrija ndodhej në derën e banesës së tij dhe kishte një armë zjarri automatik model 54, me një krehër me 27 copë fishekë në të. Efektivat e policisë kanë ndërhyrë duke negociuar me dy personat për dorëzimin e armëve dhe kanë shmangur përplasjen mes tyre. Më pas ata janë arrestuar dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal. Ata akuzohen për “vrasje me dashje, e ngelur në tentative” dhe “armëmbajtje pa leje”.
a.k/NOA