Tiranë, 29 maj 2011, NOA – Selia rozë ka reaguar pas deklaratës së LSI-së, duke deklaruar se që nesër Prokuroria do të disponojë të gjithë të vërtetën e kanibalizmit elektoral të ushtruar në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa iu përgjigj akuzave të Ylli Manjanit duke deklaruar para pak minutash se “shqiptarët panë me shifra jo me fjalë vjedhjen e organizuar nga Saliu në tavolinën e Ristanit”.
Ajtyresa theksoi se PS do të publikojë përditë dokumente që hedhin dritë mbi kutitë e manipuluara për të përmbysur fitoren e kandidatit Edi Rama në Tiranë.
“Kusarët e votave janë të kapur me prova tronditëse që flasin vetë. Tirana s’mund të gjunjëzohet me vota të vjedhura pas një numërimi që na nxorri fitues në sytë e çdo shqiptari”, tha Ajtyresa.
Ajo nënvizoi se “Presim nga Kolegji Zgjedhor të japë drejtësi në emër të
ligjit dhe nga prokuroria të ndëshkojë ligjërisht falsifikatorët e zgjedhjeve”.
Megi Ajtyresa ripërsëriti se Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, duke theksuar se “Humbësit do të përballen me popullin sovran jo vetëm si humbës por edhe si shkelës të dhunshëm të vullnetit të popullit”.
mit/NOA