English

Shoqet e dhomës: Studentja u vetëvra se e kishin fejuar me zor

Korçë, 29 maj 2011, NOA Update – Studentja 19-vjeçare me iniciale Z.B., e cila i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i konviktit në Korçë mund të jetë vetëvrarë për shkak se familja e kishte fejuar me zor me dikë, ndërkohë që ajo ishte e dashuruar dhe e lidhur me një person tjetër.

Këtë pistë të vetëvrasjes së 19-vjeçares së vetëvrarë, që studionte për Biokimi në vitin e parë të Universitetit “Fan Noli” të Korçës e hodhën shoqet e dhomës së saj.

Sipas shoqeve të saj studentja e vuante prej kohësh fejesën e imponuar nga familja e saj, ndërkohë që kishte një lidhje dashurie me një tjetër person.

Ka qenë pasditja e kësaj të diele kur studentja i dha fund jetës së saj, duke u hedhur nga dritarja e dhomës ku banonte, që ndodhej në katin e katërt të konviktit të vajzave në Korçë.

Ngjarja e rëndë tronditi studentët e konviktit në qytetin e Korçës, ndërkohë që policia po punon ende për të zbardhur rrethanat e vetëvrasjes.

Studentja 19-vjeçare ishte nga fshati Radokal i Pogradecit.

19-vjeçarja gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa janë ende të paqarta për policinë motivet që e shtynë t’i japë fund jetës së saj.

Viktima është dërguar tashmë në morgun e spitalit të Korçës, ndërkohë që pritet të vijnë aty edhe familjarët e saj, që në njëfarë mënyre mund të jenë bërë shkaku i vetëvrasjes së 19-vjeçares.

mit/NOA

KOMENTE
  • shefikati20:46 - 29 Maj 2011
    Shume e trishtueshme. Dhe me e hidhur behet , nqs familja me bijen e tyre, nuk e kane gjetur gjuhen e perbashket. Ngushellime