Beograd, 30 maj, NOA - Familja dhe avokatët e Ratko Mlladiçit pritet të apelojnë sot kundër ekstradimit të ish-komandantit të serbëve të Bosnjës për në Hagë, ku do të përballet me akuzat për krime lufte. Familja thotë se 69-vjeçari Mlladiç është shumë i sëmurë që të përballet me një proces gjyqësor, që përfshin edhe akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Të dielën, më shumë se 100 persona janë arrestuar, ndërsa 30 të tjerë janë lënduar në dhunën që shpërtheu në Beograd, gjatë protestës ku bëhej thirrje për lirimin e tij.
Protesta është organizuar nga Partia Radikale Serbe. Ajo është përshkruar si paqësore, mirëpo më pas disa protestues kanë gjuajtur me gurë dhe janë përleshur me policët që ishin prezentë.
Mlladiçi akuzohet se e ka udhëhequr operacionin që çoi deri te Masakra e Srebrenicës në vitin 1995 dhe krime të tjera gjatë luftës së Bosnjës - të zhvilluar prej vitit 1992 – 1995.
NOA/RFE