English

Dialogu Prishtinë-Beograd, Tahiri: Pako marrëveshjesh në qershor

Prishtinë, 30 maj 2011, NOA – Edita Tahiri, udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë paralajmëroi sot se në mes të qershorit Prishtina dhe Beogradi do të nënshkruajnë një pako marrëveshjesh mbi lëvizjen e lirë, tregtinë e lirë dhe energjinë. Sipas saj pritet të arrihen edhe një sërë marrëveshjesh të tjera për telekomunikacionin, regjistrat civilë e kadastralë, si dhe diplomat shkollore e universitare.

“Pritet që para pushimeve verore të kemi një pako marrëveshjesh, që përfshijnë çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga Serbia. Do të ketë marrëveshje për çështjet e energjisë, dhe besoj edhe për ato të telekomunikacionit, si dhe për çështjet e regjistrave civilë, kadastralë”, deklaroi Tahiri për radion Evropa e Lirë.

Sipas Tahirit bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë përparuar dukshëm.

Ajo shprehu bindjen se edhe pala serbe pret që marrëveshjet e para Prishtinë - Beograd të arrihen gjatë muajit qershor, duke iu referuar edhe faktit se për shkak të pushimeve verore ky mund të jetë edhe takimi i vetëm mes palëve gjatë tre muajve të stinës së nxehtë.

Ndërkohë, Sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç deklaroi më herët se nëse nuk ka një marrëveshje gjatë qershorit, atëherë teknikisht është e pamundur të ketë marrëveshje gjatë verës, për shkak të pushimeve verore.

mit/NOA

KOMENTE