English

Drejtësia dhe përtëritja e shtetit

Nga Dorian Koçi

Çdo epokë në qytetërimin botëror karakterizohet nga një shpikje e madhe e njerëzimit. Të gjitha këto shpikje kanë influencuar për mirë në jetën publike dhe i kanë dhënë një shtysë më tepër zhvillimit shoqëror. Kështu p.sh shpikja e makinave me avull nga James Watt (1736-1819) krijoi premisat për një ndryshim të madh shoqëror në jetën publike të Evropës duke filluar atë që quhet Revolucion Industrial, i cili do ndryshonte aq shumë jo vetëm marrëdhëniet e prodhimit por dhe strukturat shoqërore të deri asaj kohe. Gjithsesi shpikjet në historinë e njerëzimit nuk kanë qenë vetëm të këtij lloji, domethënë gjetja e një sistemi të ri mekanik që nuk ishte i bazuar në asnjë model të mëparshëm, por dhe përmirësime mekanike të koncepteve të mëparshme.

Kështu p.sh shpikja e shtypshkronjës nga Gutenberg-u në 1450 ishte një variant i përpunuar i shpikjes më të hershme të njerëzimit-shkrimit. Por nëse shkrimi njerëzor kish ndihmuar në mënyrë të përsosur që gjithë dija njerëzore të dokumentohej, kësaj radhe shpikja e shtypshkronjës ndihmonte që jo vetëm ajo të dokumentohej por dhe të shpërndahej më mirë në botë dhe transmetohej më mirë brezave të tjerë. Kjo është një nga arsyet që Guteneberg-u u shpall si njeriu i Mileniumit pasi shpikja e tij me të vërtetë kontribuoi aq shumë në zhvillimin e Rilindjes, Reformacionit dhe Revolucionit shkencor duke hedhur bazat në të njëjtën kohë për njohuritë bazë të ekonomisë si dhe shpërndarjen e procesit të edukimit në masat e gjera. Ndaj me të drejtë shekulli i XV edhe pse brenda tij ka shumë zhvillime të rrufeshme si përsa u përket atyre politike, kulturore apo qoftë dhe ekonomike më shumë njihet në ndërgjegjen njerëzore si shekulli i shpikjes së printimit të librave.

Duke dashur që të heqim një paralele dhe natyrisht duke e marrë si të mirëqenë që çdo epokë në qytetërimin botëror karakterizohet nga një shpikje e madhe e njerëzimit, është e vështirë që të emërtosh kollaj një shpikje të përmasave të tilla për shekullin e XX dhe për dhjetëvjeçarin e shekullit XXI që kemi hyrë. Kjo vështirësi rezulton jo vetëm për faktin se shpikjet dhe zhvillimi që ka marrë dija dhe njerëzimi gjatë shekullit të XX kanë qenë kaq cilësore krahasuar me shekujt e mëparshëm por edhe për faktin se dija prej kohësh është racionalizuar duke mos lënë më shteg për abuzim vlerash apo prishje hierarkish. Në këtë proces të gjatë të racionalizmit të dijes dhe mprehjes së logjikës njerëzore ka dhënë kontributin e vet drejtësia, një nga bashkëshoqërueset më të vjetra të njeriut që nga momenti që ai ndërtoi sistemet e para të tij shoqërore.

Sigurisht që është e tepërt që të përmendet sesa e rëndësishme është drejtësia për një sistem shoqëror dhe politik, por ajo që dëshiroj të sjellë në vëmendje është simboli i saj me një peshore që rri në balancë. Shenja e peshores në fakt nuk është se i përket vetëm drejtësisë. Ajo është më e herët dhe e gjejmë të shpërndarë në konotacione të ndryshme. Kjo shenjë p.sh shfaqet për herë të parë tek “Iliada” e Homerit, ku Zeusi mban një peshore të tillë në dorë që simbolizon fatin njerëzor. Kohë pas kohe pasi vrojton betejën ai shtyn njërën apo tjetrën palë duke influencuar në betejë. Po kështu peshorja është dhe simboli i dytë i farmacistëve , me anën e së cilës masin gramaturat e sakta të ilaçeve që shpërndanin. Duke bërë një lidhje të imazhit dhe funksionit, nga ky vëzhgim i shpejtë mund të krijohet përshtypja se drejtësia ka nevojë për fat që të vendoset dhe shpesh herë mund të jetë e hidhur për njërën palë ashtu si dhe ilaçet.

Gjithsesi edhe pse këto dy karakteristika mund jenë të vërteta dhe kryesore për zbatimin e drejtësisë, ato nuk shprehin karakteristikën kryesore të saj. Në fakt, ashtu si mund të duket nga funksioni i peshore, funksioni kryesor i saj është balanca në gjykimin e gjërave dhe fakteve çka e bën atë vërtetë të pranueshme nga të gjithë. Shqipëria dhe sistemi politik i saj pas një procesi të lodhshëm zgjedhor po pret në fakt që të marrë drejtësi. Të zhytur në pasionet tona partiake dhe preferencat personale konstatoj me dhimbje se shumë pak veta besojnë se do të jepet një vendim i drejtë. Gjithandej nëpër shtypin e shkruar dhe rrjetet sociale në internet gjen komente dhe opinione të ndryshme që i shprehin hapur mosbesimin e qytetarëve ndaj drejtësisë. Në fakt, ky perceptim është ajo gjë që duhet të na shqetësojë të gjithë para se të bëjmë tifo për kandidatin tonë të preferuar. Në jetën publike shqiptare ka ndodhur dukuria e njohur e reaksionit zinxhir. Në fillim njerëzit humbën besimin tek politika kur panë se kacafyten aq keq deri dhe në konfrontime fizike brenda tempullit të demokracisë-parlamentit. Pastaj humbi besimin ndaj parlamenti kur pa të votohen ligje që ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme, shpesh herë të sponsorizuar nga grupe interesi që dëshirojnë të përfitojnë në kurriz të qytetarëve. Hallka e fundit e këtij zinxhiri të trishtueshëm është se ani së fundmi kanë humbur besimin se drejtësia do ti japë një zgjidhje të drejtë këtij mish-mashi politik që ka ngërthyer vendin. Ky perceptim në fakt është fundi i tabanit të detit , fundi i rënies sonë morale, ndaj do të deshim aq shumë që drejtësia të filloi të ringjallë vlerat e saj dhe së bashku me to dhe gjithë filozofinë e ringjalljes së shtetit. Ajo që ne na duhet pas dhënie së këtij verdikti është themelimi i një republike të re me një moral dhe filozofi politike që lë mbrapa epokën makiaveliste të tranzicionit dhe hap periudhën e re të integrimit evropian të Shqipërisë. “Dum, spiro, spero”-Sa të rrosh do shpresosh thotë latini dhe besoj gjithë Shqipëria është në pritje dhe në shpresë të dhënies së drejtësisë.

NOA

KOMENTE