Shkup, 30 maj 2011, NOA - Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) i udhëhequr nga veprimtari Gafurr Adili i bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë të bojkotojnë zgjedhjet e 5 qershorit. Adili bën me dije se edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ndryshojë edhe as nuk do të përmirësohet pozita ekonomiko-sociale dhe as statusi politiko-kombëtar i shqiptarëve të Shqipërisë Lindore nën Maqedoni.
“FDBK vlerëson se partitë shqiptare do të jenë vetëm një dekor i pushtetit sllavo-maqedonas, dhe për dy dekada me rradhë edhe e kanë denigruar Çështjen Kombëtare të shqiptarëve”, apelon Adili.
Kryesia Qendrore e Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK), i bën apel zgjedhësve shqiptarë të Maqedonisë që të bojkotojnë zgjedhjet apo të zhgaravisin fletët e votimit.
“Ky veprim demokratik, si një nga format më të civilizuara të shprehjes së protestës qytetare, do t’u tërhiqte vëmendjen, jo vetëm të liderëve të partive politike (lagje) shqiptare, por edhe faktorit ndërkombëtar mbi gjendjen ekonomike të mjerueshme dhe mbi statusin politiko-kombëtar, të degraduar të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore nën Maqedoni”, thekson deklarata e kreut të FDBK, Gafurr Adili.
NOA/INA