Tiranë, 30 maj, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani ka marrë pjesë sot në punimet e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Pjesëmarrja e deputetit socialist është thyerje e vendimit të Grupit Parlamentar të PS-së, për të bojkotuar punimet e seancave dhe komisioneve të Kuvendit, deri në shpalljen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet në Tiranë.
I pyetur nga mediat e pranishme për arsyen e shkeljes së vendimit, Harasani ka deklaruar se nuk është informuar nga selia rozë në lidhje me vendimin e grupit.
“Nuk kam qenë i ftuar në mbledhjen e PS kur u mor ky vendim. Unë do bëj detyrën time si deputet. Mu duk me rëndësi projekt ligji i privatizimeve në Komisionin e Ekonomisë. Karrigia ime nuk është e njëjtë me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, tha ai.
Edhe në seancën e javës së kaluar, Harasani së bashku me deputetin Kastriot Islami dolën kundër vendimit të selisë rozë duke marrë pjesë në zhvillimin e saj.
a.k/NOA