Berat, 30 maj 2011, NOA – Atë e bir kanë përfunduar në lumin Osum të Beratit pas një aksidenti automobilistik, ku u përplasën nga një makinë. Dy të aksidentuarit kanë mbetur fatmirësisht të plagosur, pasi një makinë doli nga rruga kryesore e qytetit e përfundoi në lumin Osum duke marrë përpara edhe dy këmbësorët, atë e bir.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30 të së hënës.
46-vjeçari Alfred Merko bashkë me djalin e tij Albano, 22 vjeç, u plagosën pas përplasjes nga makina BMW me targa të Beratit AA 939 C që drejtohej nga Aurel Musabelliu.
Aksidenti ndodhi kur drejtuesi i makinës Aurel Musabelliu duke udhëtuar nga qendra drejt daljes së qytetit, doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë duke marrë me vete edhe dy këmbësorët e rastit.
Përveç dy këmbësorëve është plagosur lehtë edhe drejtuesi i mjetit.
Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të qytetit, ku 46 vjeçari pasi mori ndihmën e parë mjekësore u dërgua për ndihmë më të specializuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur për të hetuar edhe eksepertët e policisë, të cilët po zbardhin shkaqet e aksidentit.
mit/NOA