English

Njeriu

Nga Artan Fuga

Agjencitë e informacionit masiv kudo në botë dhanë lajmin se u arrestua në Serbi Ratko Mlladiç, i akuzuar si përgjegjësi kryesor i gjenocidit kundër popullsisë boshnjako-muslimane në fillim të viteve ’90.

Nuk më intereson ky person. Ai e ka vendin atje ku duhet.

një televizion të besueshëm europiano-perëndimor, po atë ditë në mbrëmje u shfaq një dokumentar shumë interesant. Tregohej jeta e një ish-punonjësi të policisë së një qyteti të qetë perëndimor, që Gjykata e Hagës e kishte punësuar për llogari të saj dhe prej më shumë se dhjetë vjetësh investigonte në Bosnjë për të zbuluar dhe vërtetuar krimet e gjenocidit atje, mbledhur prova, gjetur varret masive të viktimave, si edhe administruar fakte për të gjithë kriminelët e luftës.

Paslufte sundon ligji i heshtjes. Komisari i policisë, veç të tjerash, kishte gjetur regjistrime filmike me ngjyra në copëra CD apo gjetiu të realizuar nga vrasësit, ku rrëfehej edhe marrëdhënia e tyre me viktimat. Në film nuk shfaqet vetëm figura e nacionalizimit, gjenocidit të majës shoviniste që e kreu atë, por ajo që më tronditi më tepër ishte se pas shefave dhe gjeneralëve shfaqeshin imazhe të një kriminaliteti kolektiv, sadizmi të pashoq, i cili manifestohej nga individë të tjerë, individë të zakonshëm të veshur me uniforma paramilitare, që i ndiqnin të parët.

Ishte çmendur njeriu.

Njeriu i thjeshtë ishte futur në vorbullën e krimit masiv, e dhunës së përgjakshme, e zhdukjes masive të të ngjashmëve të vet. Pamjet e filmit janë makabre. Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra të vrarë, eliminuar, gjymtuar brenda pak ditëve. Një mijë ose dy mijë të eliminuar fizikisht me metodat më barbare brenda një dite të vetme.

Rekorde barbarie. Filmat i kanë regjistruar, sikurse thashë, vetë kriminelët me pamje njeriu. Pyetja e parë që bëra ishte: Përse kanë filmuar vetveten? Një pyetje, përgjigjen e së cilës nuk e kam dhe nuk mund ta kem. Mendoj se në ato çaste kanë gjykuar se janë të pandëshkueshëm, sikurse Gustav Le Bon dhe Tarde mendojnë se kjo ndjenjë kriminale mbisundon ndërgjegjen kolektive të turmës. Kanë qenë edhe të “dehur” nga ndjenja e “heroizmit” duke kërkuar ta lënë veprën e tyre gjakatare në arkivat e kujtesës kombëtare. Por, ndoshta, sikurse çdo vrasës në seri, edhe kanë menduar që ato skena t’i shohin deri në pleqërinë e thellë, si filma të pasdarkes, kur për të tretur ushqimin njeriu shtrihet në divan për të ndjekur ndonjë film, projektuar mbi ndonjë perde të bardhë a mbi ekranin e televizionit. Ndofta kanë dashur të kthehen virtualisht në skenat e krimit për t’u ringopur, për të marrë në kurajë.

Një estetikë televizive e krimit.

Shoh viktima që janë vendosur në rresht njëri pas tjetrit. Njerëzit me kallashnikovë qëllojnë në kurriz të parin. I dyti e sheh të parin dhe pret qetësisht me duart e lidhura pas kurrizit që edhe atë ta qëllojnë. Kështu me radhë, i treti, i katërti, i pesti, i dhjeti. Si rri aq qetë? – pyet dikush pakëz naiv në sallonin ku qëndroj për të parë pamjet makabre, me interes vrojtues dhe mpirje të ndërgjegjes. Nuk kam dyshime se çfarë mund të bëjnë klikat shoviniste dhe gjenocidiste. Më duhet të shoh sesi sillet njeriu i thjeshtë. Ai që është vendosur me sytë e errur të luajë rolin e kriminelit dhe atë, po njeriun e thjeshtë, deri dje komshiu, shoku i ndërmarrjes, kalimtari i një bulevardi, blerësi i bukës në një furrë lagjeje, njeriun e thjeshtë - viktima e të parit.

Pse qëndron aq qetë duke pritur t’ia shpojnë kurrizin me plumba? Sepse pritshmëria e vrasjes nga pas kurrizit i ka lodhur. Sepse gjuha e vrasjes dhe e dhunës i ka lodhur. Se mendojnë të shpëtojnë nga kjo botë - ndofta. Janë përgatitur gradualisht për vdekjen, për dhunën. Kështu qenka njeriu. Mësohet dhe me pritshmëritë më tragjike. Njeriu studiohet vetëm në situatat ekstreme. Aty bëhet sociologjia dhe antropologjia e njeriut. Në situatat normale të borgjezit të vogël të qyteteve vështirë ta studiosh se çfarë fuqie, çfarë heroizmi, por edhe çfarë mizorie, përgjumje, lëshimi, është në gjendje të shfaqë njeriu.

Vriten pa bërë zë - sepse ndofta secili shpreson se breshëria e automatikut do të ndalet tamam kur arma të jetë drejtuar mbi kurrizin e tij. Ka një shpresë të fundit, që me qetësi, pa lëvizur, pa vepruar, me nënshtrim edhe mund ta ndalojë kriminelin të qëllojë. Kurse po të rezistojë - ky i fundit do të gjejë edhe motivin që legjitimon vrasjen e kryer apo të përgatitur. Kjo është tragjedia e viktimës. Të dorëzohet, me shpresë se krimineli nuk do të qëllojë? - por kjo e bën më të lehtë punën e vrasësit. Të rezistojë me shpresë se kështu mund të shpëtojë? - por kjo e bën edhe më agresiv vrasësin.

Filmimet tregojnë atë që filozofët hebrej e kanë shpjeguar kur kanë arsyetuar për rastet e kampeve të përqendrimit përgjatë Luftës së Dytë botërore. Krimineli i vërtetë nuk pëlqen ta ekzekutojë menjëherë viktimën e tij. Vdekjen e viktimës e quan si një forcë të këtij të fundit për t’i ikur nga duart. Vdekja e shpëton viktimën nga xhelati. Krimineli i vërtetë dëshiron të luajë pak me viktimën përpara sesa ta vrasë, kërkon ta mundojë sa është gjallë. Ai që jep po jetë ka paradoksalisht edhe forcën, sepse në shkatërrimin e tij, pak para se të japë shpirt, bëhet i fuqishëm, bëhet i paprekshëm. E mbisundon xhelatin e tij.

Krimineli nuk e duron dot këtë çast. Ndaj edhe ekzekuton shpesh nga pas, sikurse shkruante një filozof i madh hebre, sepse nuk dëshiron që këtë pamposhtëri ta shohë te regëtimi i fundit në sytë e viktimës që ikën nga kjo botë. Nuk e duron hakmarrjen paqësore të syve të atij që po jep shpirt. Ai po ikën në eternitet. Ndaj luan me viktimën. Ia riprodhon vdekjen të shumëfishuar përpara syve të tij, duke i ekzekutuar të ngjashmit e vet. Ruaju nga njeriu që ka armën në dorë dhe fytyrën e pambuluar. Krimi i pambuluar, i përgatitur në sytë e të gjithëve, është një krim që do të shkojë deri në fund të tij, nuk do të lejë asnjë dëshmitar, do të jetë një krim final, total, radikal.

Mundimi i viktimës. Shoh sesi njeriu e detyron njeriun, disa njerëz, të hapin përpara sesa t’i vrasë një gropë të madhe, varrin e tyre. Dhe ata të gjorët e hapin. Me nga një lopatë në dorë. Nuk dihet se çfarë mendojnë. Dokumentari i tregon të heshtur. Vetëm kriminelët iu thonë disa fjalë, si duket i nxitojnë, për të punuar pak më shpejt. Pastaj qëllojnë mbi ta.

Në skenë dalin viktima të tjera që presin. Kamera drejtohet te fytyrat e tyre të ngrira. Duket se kanë vdekur përpara sesa të ikin nga kjo botë. Kriminelët u kërkojnë që të mbulojnë varrin e mbushur me trupa. Ata të gjorët që janë brenda, me trupa ndofta ende të ngrohtë, e hapën varrin e vetes, por nuk kanë fuqi ta mbyllin, nuk mbulohen dot me dheun që ende ruan fije bari mbi të.

Ka pasur bar mbi atë lëndinë dikur. Ka pasur paqe. Me siguri fëmijët kanë luajtur duke vrapuar mes kecave dhe qengjave. Baresha i ka rënë fyellit. Ndofta janë bërë gosti të mëdha ku viktimat dhe kriminelët e tyre kanë ngrënë, kanë pirë së bashku si miq të përhershëm, në përjetë, kanë kërcyer me gratë e tyre, vallet e krahinës, kanë folur të njëjtën gjuhë. Tanimë në film duket se çmenduria njerëzore gjithçka e ka harruar. Vetëm disa fije të gjelbra bari mbi plisa varresh sjellin kujtimin e paqes të keqpërdorur.

Kush mendonte vallë prej tyre në kohë paqe se njeriu mund të bëhet kriminel? Kush mendonte se histeria kolektive e krimit do të kapte mashkullimin që vret? Pastaj kriminelët bëhen të frikshëm, sepse kryejnë një krim perfekt. Kryejnë para kameras veprime që e mbulojnë sigurisht në ndërgjegjen e tyre mëkatin e rëndë gjoja me sjellje humane. Edhe më kriminale akoma. Ndajnë burrat e krahinës nga gratë e tyre. Meshkujt veç: “Hajdeni, se kemi ca punë me ju!”, gratë, vajzat, fëmijët, i hipin në autobus dhe i nxjerrin nga territori i konsideruar si serb. Fytyrat e viktimave dhe të familjarëve të tyre këtu janë të shqetësuara. Këtu ndihet pak rezistencë. Përse na ndani? Çfarë keni ndërmend të bëni? Duam baballarët tanë - qajnë fëmijët. “Asgjë, asgjë”, - i qetësojnë kriminelët. Dëgjohen trokëllitjet e kallashnikovit brenda një magazine. Trupat e të vdekurve mbulojnë me dhjetëra e me qindra njëri-tjetrin.

Dëshmitari që ka shpëtuar për qime nga një kasaphanë rrëfen : “Unë pata fat, sepse isha i mbuluar nga disa trupa të vdekurish. Nuk u ngrita. Ndenja poshtë kufomave njëzetekatër orë. Isha i sigurt aty. Në mes të gjakut. Isha i plagosur në këmbë. Kriminelët u thërrisnin të vdekurve: “Kush nuk ka vdekur le të na thotë, le të bëhet i gjallë. Mund ta kurojmë. Kishte naivë që ende nuk kishin dhënë shpirt dhe kërkonin ndihmë. Krimineli vinte atëherë mbi kokën e tij dhe qëllonte. Gjithçka mbaronte me kaq.”

Ndiej se ka pasur edhe një përpjekje për rendiment të kërkuar në krimin kolektiv. Vrasje kolektive me rendiment. Me sa më pak plumba. Familja e të pushkatuarit në një vend ish-komunist duhej të paguante edhe shpenzimet e shtetit për plumbin e harxhuar në ekzekutim. Vrasje kolektive me “duar të pastra”. Kush merret me seleksionimin e të vdekurve nga të gjallët? Ka një metodë më të mirë: Kush nuk është vdekur të bëhet i gjallë! Je i gjallë? Ja tani do të bëhesh i vdekur.

Dhe pas gostisë makabre kamera xhiron kriminelë të thjeshtë, jo gjeneralë, që dalin në rrugët e qytetit me makina. Valëvisin flamuj, brohorasin, këndojnë. Njeri prej tyre shfaqet duke nxjerrë gjysmën e trupit nga dritarja e makinës dhe thotë se është krenar për atë që ka bërë. Dokumentari tregon punën e këtij komisari të thjeshtë policie në zbulim të gjenocidit masiv. Ai flet për frymëzuesit dhe drejtuesit e këtij gjenocidi. Jam më i trishtuar edhe sesa kaq: si është transformuar njeriu në ato filmime televizive me ngjyra!

Antropologjia e sjelljes ekstreme, por që ndodh. Duhet kujdes me njeriun. Se mund ta humbasë mendjen.

KOMENTE