Berlin, 30 maj, NOA - Numri i të infektuarave nga bakteri E.coli, në Gjermani ka shkuar në 1200 persona, raportojnë sot mediat gjermane.
Njoftohet se bakteri sulmon veshkat dhe sistemin nervor qendror dhe ende nuk e ka arritur kulmin e tij. Nga sëmundjet që shkaktohen nga kjo bakterie, më shumë vuajnë gratë.
Ministria gjermane për mbrojtjen e konsumatorit iu ka apeluar qytetarëve të saj që të mos konsumojnë perime të freskëta, sidomos trangujt, domatet dhe sallatën jeshile, derisa ekspertët të përcaktojnë origjinën e infeksionit.
Deri më tash në Gjermani e kanë humbur jetën 10 persona nga bakteri E.coli, ndërsa te shumica e pacientëve, simptomat kanë qenë, anemia e rëndë, problemet me stomakun dhe funksionimi i dobët i veshkave.
Ndërkaq raportohet se bakteri është përhapur edhe në shtete të tjera. Në Austri janë paraqitur dy raste deri më tani, ndërsa në Suedi dhe Danimarkë është paraqitur një infeksion ende i panjohur.
NOA/RFE