Tiranë, 30 maj 2011, NOA – Përmes operacionit rajonal të koduar “CREDIT CAR II” Policia e Shtetit ka goditur aktivitetin kriminal të makinave të vjedhura duke zbuluar dhjetë automjete të vjedhura e të trafikuara në vendin tonë.
Sipas policisë u zbuluan veçanërisht automjete të vjedhura përmes mashtrimeve financiare si: automjete të blera me kredi, të marra me qera apo nëpërmjet mashtrimit me siguracionet.
Në kuadër të këtij operacioni nga strukturat e Policisë së Shtetit janë verifikuar rreth 1.085 automjete të llojeve të ndryshme.
Ato u verifikuan kryesisht gjatë kontrolleve të ushtruara me grupe kontrolli të lëvizshme brenda qyteteve dhe në akset rrugore, si dhe grupeve të ngritura në hyrje-dalje të qyteteve etj.
Sipas policisë vëmendje e veçantë i është kushtuar pikave të kalimit kufitar për të zbuluar dhe formën e mashtrimit, si dhe patrullimeve përgjatë kufirit jeshil.
Nga verifikimet e kryera përmes sistemit të Interpolit kanë rezultuar të vjedhura dhe të trafikuara në vendin tonë 10 automjete: 3 automjete janë konstatuar në qarkun e Durrësit; 3 automjete në Qarkun e Lezhës; 2 automjete në qarkun e Elbasanit; 1 automjet në qarkun e Korçës dhe 1 automjet në qarkun e Vlorës.
Policia e Shtetit informon se automjetet e trafikuara janë kryesisht të tipit të fundit dhe janë vjedhur në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas policisë ndër këto 5 automjete janë vjedhur në Itali; 1 automjet në Austri; 1 automjet në Serbi dhe 2 automjete në Bullgari.
Më tej Policia konkretizon automjetet e vjedhura:
- automjeti tip BMW X5, me targë TR 5255 N, rezulton i vjedhur në Austri me datë 25.08.2005.
- automjeti tip Porsche Cayenne, me targë DX 938 DR, rezulton i vjedhur me datë 12.03.2010 në Itali.
- automjeti tip Mercedes Benz ML 320, me targë DP 530 MH, rezulton i vjedhur në Itali me datë 12.11.2009.
- automjeti tip Mercedes Benz me targë AA 928 AA, regjistruar i vjedhur në Itali me datë 18.02.2011.
- automjeti tip Mercedes Benz (C 220 CDI), me targë AA 697 AG, i cili është regjistruar i vjedhur në Itali me datë 15.03.2011.
- automjeti Audi Q5, me targë IBH, i cili është regjistruar i vjedhur në Greqi me datë 10.05.2010.
- automjeti tip Mercedes Benz, me targë MR 2361 A, i cili është regjistruar i vjedhur në Serbi me datë 17.01.2007.
- automjeti tip Volkswagen, me targë PG005A, rezulton i vjedhur në Bullgari.
- automjeti tip Volkswagen, me targë PG097A, rezulton i vjedhur në Bullgari.
- automjeti kamion tip IVECO Magirus, me targë EX 595 BE, i cili rezulton i vjedhur në Itali me datë 21.07.2010.
Policia e Shtetit bën me dije se ky operacion është zhvilluar, nga data 16 deri me 19 maj 2011, me nismën dhe drejtimin e qendrës SECI dhe me pjesëmarrjen e strukturave të policive, prokurorive, doganave, të Interpolit dhe Europolit të vendeve të Europës Juglindore anëtare të kësaj qendre ndërkombëtare.
Në këtë operacion u angazhuan Departamenti kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda; Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria kundër Krimit Financiar; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin; Departamenti i Sigurisë Publike; Drejtoria e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar si dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqe.
mit/NOA