Nga Sokol Balla
Sot Tirana ka dy kryetarë bashkie. Në fakt duhet të kishte një, por Lulzim Basha dështoi pritshmërinë e opinionit publik vendas për t’u treguar ndryshe, dhe ndryshe sa kishte premtuar publikisht, nuk e pranoi rezultatin paraprak. Ai dëshpëroi edhe amerikanët dhe dështoi edhe pritshmëritë e tyre se mund të ishte kreu I ardhshëm dinjitoz I PD, duke pranuar rolin dytësor si Viagra politike e Berishës, dhe duke I dhënë prijësit blu mundësinë për të nisur pisllëkun e radhës në cirkun electoral të njëzet viteve të fundit, në të cilin Sali Berisha ende nuk ka të regjistruar pranimin e rezultatit të ndonjë palë zgjedhjeje, sa herë që ai ka dalë humbës.
Gjithkush që mendoi – me logjikë sigurisht – se Saliu thjesht bëri një lojë, se kërkoi që të çonte Ramën në Kolegj, se kërkoi të zbehte edhe më fitoren e tij të ngushtë, se kërkoi të zbehte me zvarritjen e Tiranës, fitoren e opozitës në 3 të katërtat e sipërfaqes së vendit, se kërkoi të luante me nervat e opozitës, se kërkoi të fuste sherr në PS me “bonapartistët”, gaboi. Jo. Saliu kërkon Tiranën. Si e vetmja rrugë – sa ironike – që të kompensonte humbjen më dramatike të tijën, pikërisht kur “ekonomia shënonte rritje që sfidonte Kinën”, kur Shqipëria ishte perla e turizmit global”. Kur hoqi vizat dhe shpëtoi pa gjemb në këmbë, kur njerëzit e tij vranë ditën për diell katër vetë në bulevard. Humbi, kur kishte pranë vetes ata që I ka pasur gjithmonë përballë, ndërkombëtarët. Humbi, kur Ilir Meta, që ai vetë I pari, dhe më pas shumë të tjerë shpresonin t’i lexonin nekrologjinë politike, fitoi më shumë vota se kurrë. Humbi kur komisionerët e tij te njësia 5 ja trajnonte një sekretar I PS. Humbi, pikërisht se nuk bleu dot dhjetë votat e fundit. Humbi dhe humbi thellë, turpshëm, dhe në sy të tre milion shqiptarëve.
Por siç thotë një miku I tij dikur I afërt, Berisha nuk është asnjëherë I fortë sa ç‘e pandehin, por asnjëherë aq I dobët se ç‘mund të shpresojnë. Ashtu si Zoti I Unazave lëshoi bishën në fund, edhe Padroni I Shqipërisë, lëshoi zinxhirësh KQZ-në dhe përdhunoi publikisht, “live e në mënyrë transparente” siç thotë zoti Basha, votën e lirë dhe ndragu mbi procesin më interesant dhe emocionant elektoral të dekadës së fundit. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve, e atyre që panë sesi burri I shtetit u shkërmoq me shpejtësi në kutitë e hapura live e në mënyrë transparente, në sjelljen arrogante të Jozefinës së KQZ, në buzëqeshjen inoçente të vajzës së re, që lexonte vesh më vesh emrin “Basha”, sa herë nxirrte para kamerave fletët e “mrekullisë”, me të njëjtin entuziasëm të vajzës topless që shpall raundet e boksit. Ra, por nuk iku. Sërish kërcënon, me mbledhje live qeverie a parlamenti, sa herë Kolegji duhet të mblidhet e të bëjë, të vetmen gjë për të cilën ekziston një gjykatë: drejtësinë.
Dhe rrimë pak tek Kolegji. Tetë gjyqtarët sot janë në vëmendjen e të gjithëve. Shumë, pranë PD thonë se nuk duhet t’i vëmë nën presion, ndërkohë që shefi I tyre kërcënon live e në mënyrë transparente çdo ditë. Kur u ka vënë dy qen roje që i ndjekin edhe kur shkojnë në banjë. Që u kontrollon telefonat me serverin e paligjshëm nga bodrumet e një ministrie. A kanë motiv këta të tremben? E kush nuk do të kishte ankth në vendin e tyre? Motivet janë dy: 1. Për shkak të rëndësisë dramatike të vendimit që ata do të marrin për Tiranën. 2. Se nëse të dyja palët i shantazhojnë e kërcënojnë, së paku njëra prej tyre, e ka seriozisht.
Po a kanë arsye ata të tërhiqen e zbythen? Asnjë. Përsa kohë janë në atë detyrë, që e kanë marrë në mënyrë të vullnetshme, ata duhet të kryejnë detyrën e tyre, sado e rëndë që ajo do jetë, pavarësisht nga pasojat që ka. Kasnecët e qeverisë kanë nisur t’u pëshpërisin në vesh opsionin e rivotimit për Tiranën (në fakt nëse kjo ndodh fitorja e opozitës është më e qartë se dhjetë votat plus të tetë majit). Por kjo do ishte gjëja më e padrejtë, më e pandershme dhe lëshim ndaj së keqes më të vogël, për hir të kompromiseve me politikën apo frikës së shantazhimit prej saj. Gjithçka për ta është e qartë, e zeza në të bardhë. E thanë europianët, por më prerë se të gjithë e tha Countrymen. Gjithçka bëri KQZ me procedurën e tij të ndryshimit në tavolinë, ishte anormale dhe e padrejtë. Rezultati ishte dhe rregullat e lojës u ndryshuan kur loja mbaroi. Nëse gjyqtarët presin që Countrymen apo Arvizu të marrin vendimin për ta, nëse shpresojnë që barrën nga supet t’ua heqë Komisioni i Venecias, nëse e mendojnë qoftë edhe për një çast të çojnë Tiranën në rivotim, kjo do ishte fatale për demokracinë, e për më keq, për shtetin ligjor. Kur një gjykatë ka frikë të vendosë drejtësinë për kryeministrin e ardhshëm, çfarë shprese ka për drejtësinë, një katundar nga Shkodra, që I kanë zënë tokën, dhe I drejtohet gjykatës e policisë për ndihmë?
Dhe nëse nuk e bëjnë dot këtë punë, më mirë të dorëhiqen e largohen si frikacakë të një sistemi që ka rënë, e mbahet në këmbë vetëm nga tenderat e mëdha e kreditë arabe. Do ishte kjo një akt më i ndershëm, sesa akti paburrrëror I mos dhënies së drejtësisë. Nëse e bëjnë, pasoja më e madhe për ta, ishte se do ti falnin Shqipërisë një fillim Ndryshe. Nga ai i vërteti ama.