English

Shqipëria në Itinerarin Kulturor të Europës dhe Mesdheut, nënshkruhet marrëveshja në Tiranë

Zhvillohet në Tiranë Konferenca e Tretë Ndërkombëtare me temë: “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal – burimet, strategjitë dhe politikat për Shqipërinë, si pjesë e Bashkimit Evropian”. Në kuadrin e Konferencës bëhet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Krijimin e Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit

Tiranë, 30 Maj 2011 NOA – Shqipëria bëhet pjesë e Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit që përfshin 901 pika turistike në të gjithë Evropën dhe Mesdheun.

Marrëveshja për këtë qëllim u nënshkrua sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadrin e Konferencës së Tretë Vjetore Ndërkombëtare, me temë: “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal – burimet, strategjitë dhe politikat për Shqipërinë, si pjesë e Bashkimit Evropian”. Kjo konferencë organizohet nga EUFT në bashkëpunim me MTKRS dhe institucione të tjera shqiptare dhe të huaja dhe vjen në kuadrin e evenimentit të përvitshëm “Shqipëria është Kulturë 2011”.

Në nisje të kësaj konference, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit për Krijimin e Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit. Kjo Marrëveshje – Protokoll Bashkëpunimi, përfshin për herë të parë Shqipërinë mes 901 vendeve të shpallura si pjesë integrale e Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit nga e gjithë Evropa dhe vendet e Mesdheut. Marrëveshja ka për promotorë veç Universitetit Europian për Turizmin (EUFT), Agjencinë për Trashëgiminë Kulturore Euromesdhetare EUROMED, Provincën e Trapanit – Itali, Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, etj.

Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Klodian Pajuni, Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka, Presidenti i Distriktit Trapani – Itali, Senatori Prof. Dr. Girolamo Turano, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj, Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, rektori i EUFT, Prof. Dr Salvatore Messina.

Eksperti i njohur i turizmit, prof. Dr. Messina tha se Marrëveshja e Bashkëpunimit për Krijimin e Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit parasheh të sjellë një zhvillim të zonave që do të përfshihen në projekte.

“Akti i bashkëpunimit, në pikat e tij thekson se aktivizimi i të gjithë burimeve shtetërore, apo private që operojnë në këto zona do të sjellë zhvillimin lokal të territorit”, - tha dr. Messina.

Eksperti i turizmit tha se një element i rëndësishëm i marrëveshjes është promovimi i turizmit dhe diversitetit kulturor në gjithë Europën.

Të gjitha vendet që janë pjesë e këtij projekti marrin përsipër zhvillimin e aktiviteteve në zonat antike, ku kryesisht theksohet synohet nevoja e informimit të brezit të ri dhe gjetja e metodave bashkëkohore për zhvillimet potenciale të turizmit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes, vuri në dukje dr. Messina, është dhe krijimi i një katalogu unik me të gjitha vendet pjesëmarrëse, ku do të vendosen të gjitha informacionet e nevojshme për vendet antike, shërbimet që ofrohen dhe mënyrën sesi janë të organizuara ato.

Por veç kësaj, pjesë e marrëveshjes është përfaqësimi i secilit vend në komitetet tekniko-shkencore.

Rektori i EUFT tha se “çdo vend pjesëmarrës do të ketë përfaqësuesin e vet në komitetin shkencor të Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit, i cili do të ndjekë të gjitha projektet”, duke detajuar se “mandati i përfaqësuesit është trevjeçar.

Duke folur në këtë Konferencë, Klodjan Pajuni nga MTKRS tha se “Shqipëria është Kulturë është një aktivitet që pati një performancë dhe sukses në Fier dhe Lezhë”.

“Bashkëpunimi real i të gjithë elementëve që nga qeveria e deri tek operatorët e thjeshtë bëjnë të mundur këtë iniciativë. MTKRS ka në prioritetet e saj zhvillimin e aktiviteteve kulturore në Tiranë dhe rrethe”, - deklaroi z.Pajuni. Ai shtoi se MTKRS po ndjek me vëmendje këtë iniciativë që po merr EUFT dhe rektori i saj, Prof. Dr. Messina mbi zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri.

Viktor Tushaj, kryetari i rizgjedhur i Bashkisë Lezhë, tha se qyteti i Lezhës tashmë është bërë një qendër e turizmit në sajë të mbështetjes nga shumë organizma kombëtare dhe ndërkombëtare duke i vënë theksin “mbështetjes së dhënë në Lezhë nga ana e Universitetit Evropian të Turizmit”.

Duke u ndalur në argumentet më të rëndësishme që prekin zhvillimin e turizmit, kryebashkiaku i Lezhës veçoi se të gjithë duhet të jenë pjesë integrale e përpjekjeve për shtimin e turistëve dhe shërbimeve të përshtatshme për to.

Në këtë kuadër z.Tushaj tha se “pa një qytet të pastër nuk mund të ketë turizëm”. Kurse kujtoi faktin se evenimenti Shqipëria është Kulturë u aplikua për herë të parë dhe pati sukses dhe u mirëprit mjaft mirë”.

Franka Paloka, drejtore e Përgjithshme e AKT (Agjencia Kombëtare e Turizmit), tha se Shqipëria ka strategji mbi zhvillimin e turizmit dhe për këtë arsye zhvillimi i ardhshëm duhet të përputhet me kapacitet që mban vendi.

“Domosdoshmëria e planeve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm në zhvillimin e turizmit është urgjente në vendin tonë”, - theksoi Paloka duke vlerësuar më tej se “kjo konferencë është mjaft e rëndësishme për secilin nga ne për të rritur më shumë dijet në fushën e turizmit dhe përvojës më të mirë evropiane dhe mesdhetare.

e.t/NOA

KOMENTE