Tiranë, 30 maj 2011, NOA – Elisabetta Belloni, Drejtoresha e Përgjithshme e Bashkëpunimit në Ministrinë e Jashtme të Italisë tha se Shqipëria është vend prioritar për projektet e bashkepunimit italian dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe në të ardhmen.
Këtë, zonja Belloni e deklaroi gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, në Tiranë.
Gjatë takimit ministri Haxhinasto shprehu nevojën e mbështetjes italiane për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetet energjetike panevropiane, në veçanti për projektet në kuadrin e Korridorit 8 dhe gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline).
Haxhinasto shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik mes dy vendeve, të cilat kanë një dimension të rëndësishëm ekonomik.
Në këtë kontekst ai vlerësoi kontributin e madh të qeverisë italiane në Shqipëri dhe vuri theksin në domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në fusha e projekte të tjera prioritare për vendin tonë, si energjia, turizmi, bujqësia, promovimi i SME-ve, etj.
Nga ana e saj Elisabeta Belloni, nënvizoi nevojën e rritjes së efektivitetit dhe cilësisë së këtij bashkëpunimi dhe shtrirjes së tij në të gjitha fushat e tjera me interes të ndërsjellë.
mit/NOA