English

Topi: Institucionet ligjore të flasin duke zbatuar ligjin

Vlorë, 30 maj 2011, NOA – Nga gjiri turistik i Vlorës ku mori pjesë në Manovrën Ushtarake Detare të NATO-s “Luani i Albionit”, Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se është në pritje të vendimit që do të marrë Kolegji Zgjedhor për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.

Presidenti Topi i bëri apel institucioneve ligjore, në këtë rast, Kolegjit Zgjedhor që të zbatojë ligjet e vendit, duke dhënë drejtësi.

“Jemi në pritje të këtij momenti kur institucionet e ligjit do të thonë fjalën e fundit. Pra nuk jemi në atë situatë që një institucion i konsideruar epror do të gjykojë dhe do të flasë në emër të tyre. Jo ata duhet të flasin, duke patur në konsideratë statusin e tyre shumë të rëndësishëm ligjor dhe moral”, apeloi Presidenti Topi.

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Europian është sfida që Shqipëria ka përpara, e për këtë, duhen përmbushur standardet e kërkuara nga komuniteti europian, njëri syresh është arritja e standardeve demokratike në zgjedhje.

Kreu i Shtetit vijoi më tej duke thënë se përfshirja në NATO e Shqipërisë nuk është një moment gjeostrategjik, por nënkupton plotësimin nga Shqipëria të atyre standardeve që kërkon NATO.

“Tani përpara kemi një sfidë tjetër, sfidën e integrimit në BE që ka kërkesa të tjera. Patjetër që në radhë të parë është sfidë e institucioneve, dhe institucionet në një vend demokratik sikurse është Shqipëria prodhojnë një hap politik. Institucioni i parë është institucioni i zgjedhjeve, dhe ky institucion formon institucione demokratike. Ju e dini që në zgjedhjet e përgjithshme prodhohet parlamenti, ndërsa në zgjedhjet e pushtetit vendor prodhohen institucionet e administrimit vendor”, tha shefi i shtetit.

Ai nënvizoi se Shqipëria nuk është vend pa ligje, porse këtu problemi është te zbatimi i ligjeve.

Presidenti Topi apeloi që çdo institucion, apo individ që është në një pozicion të caktuar, e që ka në dorë një proces të caktuar, duhet të zbatojë ligjet e vendit, pasi siç tha ai, jep një notë për demokracinë dhe stadin aktual ku jetojmë.

Në fjalën e tij Presidenti bëri thirrje që institucionet dhe drejtuesit e tyre të respektojnë e zbatojnë ligjet e vendit, pasi vetëm kështu do të marrin edhe vlerësimin pozitiv nga Unioni Europian.

mit/NOA

KOMENTE