English

Basha, i fituari i madh

Nga Besnik Mustafaj

Përtej vendimit të pritshëm të Kolegjit Zgjedhor, i cili do të përcaktojë edhe cili nga dy kandidatët kryesorë do të shkojë në drejtimin e bashkisë së Tiranës, në kontekst më të gjerë besoj se mund të thuhet me plot gojën se Lulzim Basha është i fituari i madh nga këto zgjedhje. Një bindje e tillë nuk do të më lëkundet edhe nëqoftë se Kolegji Zgjedhor do të marrë një vendim kundër aspiratës imediate të Bashës, aspiratë e mbështetur si kurrë më parë nga elektorati kryeqytetas për një kandidat demokrat, për të udhëhequr Tiranën në katër vjetët e ardhshme. Në të dy variantet, kryetar i bashkisë së Tiranës ose jo, Basha ka tashmë në dorë një fitore, rëndësia e vërtetë e së cilës do të përcaktohet nga aftësia e tij për të ndërtuar një perspektivë të re për karrierën e tij.

Shpejt e shpejt do përmendja disa arsye të qënësishme, të cilat më shtyjnë në përfundimin se Lulzim Basha është i fituari i madh i votimeve të 8 majit. Fillim e mbarim ai zhvilloi një fushatë pozitive. Sado që nuk jam në gjendje të gjykoj me ndershmëri sa sa realiste ishin disa nga premtimet e tij më të bujshme, më duket parimisht më parësore të nënvizohet që premtimet e tij ishin të vendosura qartazi në kuadrin e nevojave që ka qyteti ynë për t’u modernizuar në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Përcaktimi i qartë i objektivit të fushatës duket se i dha atij një siguri të mjaftueshme në vete për të ruajtur frymën pozitive gjatë paraqitjeve publike, duke shmangur qoftë polemikat shterpe me kundërshtarin e qoftë edhe shpjegimet e hollësishme për akuzat që i bëheshin. Ishte një kurth, në të cilin ai nuk ra dhe meriton përgëzime të sinqerta. Kështu, ligjërimi publik i fushatës në Tiranë nuk u ndot, ose u ndot fare pak dhe për këtë meritën e ka krejt Basha. Për hir të së vërtetës, do thënë se nuk duhet të ketë qënë edhe aq e lehtë për të ruajtja e frymës së përcaktuar paraprakisht si pozitive po të sjellim ndërmend përmbajtjen thellësisht negative të fushatës së rivalit kundër tij, një fushatë e ndërtuar mjeshtërisht për të prekur me mesazhe dhe me figurë deri në pikat më të ndjeshme të njeriut, siç është egoja. Unë besoj se kjo frymë pozitive ngjalli shumë më tepër simpati ndër qytetarët e Tiranës ndaj tij se sa vetë projektet e tij për Tiranën. Dhe me të drejtë. Kjo frymë nxjerr thelbësisht më mirë në pah vizionin e një politikani për të ardhmen se sa një listë premtimesh me tramvaje apo ulje marramendëse taksash. Premtime të ngjashme bëri me bollëk edhe kundërshtari i Bashës, por atij nuk i zunë vend. Nisur nga ky fakt, neve na jepet e drejta të supozojmë se Lulzim Basha e ka kuptuar dukshëm më mirë se kundërshtari i tij, por edhe më mirë se shumë e shumë nga kolegët apo edhe eprorët e tij në hierarkinë e Partisë Demokratike, mentalitetin e përparuar të opinionit publik të kryeqytetit dhe është përpjekur t’i përgjigjet këtij mentaliteti.

Ma merr mendja se në këtë hulli arsyetimi gjen shpjegim edhe risia tjetër e fushatës së Bashës. Ai e udhëhoqi krejt i vetëm fushatën e vet. Përveç ditës së parë në mitingun çelës të fushatës dhe ditës së fundit në mitingun përmbyllës, - gjë e natyrshme, - në krah të tij nuk u pa për asnjë çast as Berisha, as Topalli ashtu si edhe asnjë nga tenorët e tjerë zyrtarë të Partisë Demokratike. Ky është një fakt i theksuar si një çudi nga shumë vëzhgues dhe analistë të jetës tonë politike. Publikisht apo nëpër tryezat e kafeneve janë bërë gjithfarë hamendjesh për të zbërthyer nëse e menjanoi Basha Berishën apo Berisha Bashën dhe nëse kjo ka qënë një zgjedhje e Bashës, ku e mori ai forcën për t’i treguar në mënyrë aq të prerë kufijtë Berishës. Gjithësesi, në fjalë të mbrame, të gjitha këto hamendje janë bashkuar te përfundimi që kjo zgjedhje ka qënë tejet e dobishme për Bashën. Një numër shumë i madh qytetarësh të Tiranës kanë pëlqyer, me sa duket, të shpresojnë se Basha kështu do të vazhdojë të jetë edhe si kryetar bashkie po të fitojë: as marionetë e Berishës dhe as marionetë e Topallit. Por edhe po nuk fitoi, këta dhjetëra mijë qytetarë të nderuar e të ditur të kryeqytetit kanë dashur me votën e tyre të inkurajojnë Bashën të vazhdojë të mendojë me kokën e vet në të ardhmen dhe kjo është një gjë e madhe për një politikan të ri.

Ka vend të urohet me zemër në dorë, sidomos nga ne demokratët, që posaçërisht kryetari ynë ta shqyrtojë me seriozitet këtë arsye të popullaritetit të ri të Bashës dhe të nxjerrë me gjakftohtësi dhe pa xhelozi mësime që do të ishin në të mirë të së djathtës shqiptare po aq sa edhe të atij vetë lidhur me mënyrën si ai e drejton qoftë partinë e qoftë qeverinë. Zgjedhjet e vitit 2013 janë te dera. Ama, edhe më të rëndësishme se analizat që do i bëjë këtij fakti Berisha, janë analizat që do bëjë vetë Basha. Deri më sot ai është pa dyshim i fituari i madh i 8 majit. Por, shkoi apo nuk shkoi në Bashki, ai është përpara sfidës për të provuar në rradhë të parë përpara votuesve te vet se mbajtja larg e Berishës gjatë fushatës ka qënë një vendim i tij i vetëdijshëm, domethënë shprehje e personalitetit të tij si politikan në formim dhe jo një taktikë po e Berishës sa për të fituar kundër Ramës. Në qoftë se do të provohet se ka qënë zgjedhje e Berishës për t’iu fshehur Tiranës gjatë pesë a gjashtë javëve të fushatës, Basha do të jetë thjeshtë një zhgënjim më shumë dhe veçanërisht i hidhur për lumin e atyre që bëjnë çfarë kanë në dorë, dhe në dorë kanë vetëm votën, për ta ndihmuar mendjen e klasës tonë politike të hapet, të ajroset, të ndriçohet.

Nuk është puna që Basha t’i shpallë luftë Berishës tashmë apo t’i tregojë gjoksin Jozefinës. Jo. Do të ishte keqkuptim i madh nga ana e tij lidhur me mesazhin që i dhanë zgjedhësit kryeqytetas. Basha duhet të tregojë pa vonesë se çfarë mendon për gjendjen e demokracisë në Partinë Demokratike dhe të shpalosë vizionin e tij për reformimin e kësaj partie, nëse e ka një vizion të tillë sigurisht. Ky është një borxh që ai ua ka para së gjithash demokratëve dhe që duhet t’ua shlyej njësoj, qoftë duke qënë kryetar bashkie e qoftë jo. Në këto gjashtë vjet karrierë qeveritare Basha nuk ka patur asnjëherë rast, por edhe nuk e ka kërkuar rastin, për të dëshmuar para shqiptarëve se ka brumin e një politikani të vërtetë. Tani ky rast po i paraqitet në një plotësi që ia heq atij të drejtën të shfajësohet nëse nuk do e kapë. Guximi, që ështrë cilësia më e rrallë te politikanët tanë në ngjitje, ka për Lulzim Bashën kësaj here një burim të shëndetshëm tek rezultatet që ai arriti në votimet e 8 majit.

*Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE
  • sotir Labi15:42 - 31 Maj 2011
    Sorrat per plehera kuvendojne.