English

Berisha: Bashkëpunimi ndërkombëtar vital për zhvillimin e arsimit të lartë

Tiranë, 31 maj 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë ditës së sotme zhvilloi një takim me Lordin Richard Best, President i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore i njohur ndryshe si SEERC.

Në vijim të takimit, kreu i qeverisë vlerësoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është vital për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Sipas Berishës, interesi i vendit është që institucionet të kenë një dimension sa më të gjerë të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar, si për institucionet publike ashtu dhe për ato private.

Më tej ai tha se krahas rritjes së numrit të pranimit të studentëve në universitete, tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar tek cilësia dhe kërkimi shkencor, pasi nuk mund të ketë të ardhme të arsimit të lartë pa nxitur kërkimin në institucionet tona.

Duke vijuar në aspektin e arsimit Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka vendosur partneritet ndërmjet arsimit të lartë publik dhe atij privat, si dhe inkurajon konkurrencën midis institucioneve.

“Modeli i ri financiar, i cili do të zbatohet së shpejti, do të jetë një nxitje e mëtejshme për cilësinë, ku bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë edhe një nga treguesit e saj”, vijoi Kryeministri.

Nga ana e tij, Lordi Richard Best shprehu kënaqësinë që studentët shqiptarë janë nga studentët më të mirë që studiojnë në Universitetin e Sheffield-it.

Ai veçoi faktin se Universiteti i Sheffield-it ka 69 Universitete në mbarë botën dhe vetëm në Angli janë 4 Fakultete me dimension ndërkombëtar.

Ndërkaq Lordi Richard Best vlerësoi partneritetin e vendosur me Universitetin Amerikan të Tiranës në tre fusha kryesore dhe shprehu besimin se ky partneritet do të vijë gjithnjë e duke u zhvilluar.

a.y/NOA

KOMENTE