Tiranë, 31 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota pro të mazhorancës kërkesën e Partisë Demokratike për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara edhe në 26 kuti të bashkisë së Tiranës, përkatësisht të katër njësive bashkiake të Tiranës.
Pas debatesh të shumta mes anëtarëve të PS-së në KQZ dhe atyre të PD-së, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani foli shkurt duke kërkuar miratimin e hapjes së 26 kutive me vota të kontestuara.
Ristani kërkoi hapjen e zarfit me votat e kontestuara, për rivlerësimin e tyre.
Në këtë moment përfaqësuesi i PS-së në KQZ kërkoi të dijë se si do të numërohen kutitë, cila është rruga e transportimit të tyre nga magazina drejt KQZ-së, duke hedhur hije dyshimi për sigurinë dhe ligjshmërinë e votave në të 26 kutitë.
Ai kërkoi të dijë vendndodhjen e kutive, nëse ato ruhen me kamera apo jo.
Por, Ristani iu përgjigj se “Kutitë janë të gjitha nën administrimin e KQZ-së, duke sqaruar se dorëzimi i tyre është bërë me procesverbal, dhe se ato transportohen nga KQZ”.
“Unë po ju them se janë nën administrimin e KQZ-së, mbarten në sallë nën administrimin dhe nën përgjegjësinë e KQZ-së. Garancia e kutisë pas dorëzimit dhe procesverbalit verifikohet kur hapen kutitë përmes kodeve të sigurisë”, ritheksoi Ristani.
Por, përfaqësuesi i PS-së këmbënguli duke thënë se kjo nënkupton se KQZ nuk i ka këto kuti nën administrim, pasi të paktën duhej të deklarohej se në cilën magazinë janë vendosur.
Sipas Ristanit kutitë janë në dy magazinat e KQZ-së, porse nuk preçizoi në cilën syresh.
Në këtë moment kryekomisioneri Ristani e ndërpreu përfaqësuesin e PS-së, duke theksuar se “Integritetin e kutisë nuk e përfaqëson makina e transportimit”.
Ai i kërkoi përfaqësuesit të PS-së që përpara se ta kundërshtojë, t’i gjejë një referencë në ligj për të argumentuar pretendimin se KQZ ka shkelur ligjin.
mit/NOA