Vlorë, 31 maj 2011 NOA – Grabitje të armatosura të ndodhura para pak kohësh në Vlorë, kanë vënë në lëvizje policinë e këtij qyteti duke bërë të mundur arrestimin e një të dyshuari nga Tërbaçi.
Burime zyrtare nga policia e Vlorës i thanë sot agjencisë NOA se në sajë të operacionit të koduar “Gjerdani” u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 23 vjeçarit Ervin Mehmetaj, banues në fshatin Tërbaç Vlorë.
“Ndalimi i këtij të riu u krye pasi dyshohet se më datë 25.03.2011, në fshatin Tërbac të rrethit Vlorë, nën kërcënimin e armës, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, u ka vjedhur shumat prej 9700 Euro dhe 20.000 lekë shtetasve E. V., N. K., dhe Y. P.”, - thanë burimet policore.
Identifikimi i këtij personi u krye pas një pune hetimore disajavore dhe nëpërmjet metodave speciale të hetimit.
Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje.
Kurse materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Vjedhje me armë” e kryer në kushtet e bashkëpunimit dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
a.q/NOA