Arcigay në Itali nënshkruan marrëveshje me PRO LGBT në Tiranë
Tiranë, 31 maj 2011 - Organizata “PRO LGBT” në Shqipëri dhe “Arcigay”, organizata më e madhe për të drejtat e komunitetit gej në Itali, nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi, ku angazhohen të çojnë përpara këtë kauzë e të bashkëpunojnë më shumë me njëra tjetrën.
Këtë marrëveshje të firmosur mes PRO LGBT dhe Arcigay në Pescara, e përshëndeti Presidenti kombëtar i Arcigay në Itali, z. Paolo Patanè, i cili dy vjet më parë ironizoi politikën italiane duke thënë se gjithë homoseksualët italianë do të merrnin gomonet për të jetuar në Shqipëri, nëse Berisha do miratonte ligjin për martesat gej, deklaratë kjo e bërë pak pasi Sali Berisha tha se ishte në favor të një ligji të tillë në vend.
"Bashkëpunimi me komunitetin lgbt në vende të tjera është një nder dhe një detyrim që ne duhet të marrim përsipër, në qoftë se imagjinojmë një botë dhe një të ardhme më mikpritëse për të gjithë. Nga kjo pikëpamje përmirësimi i statusit të homoseksualëve dhe lezbikeve në vendet e tjera, dhe sidomos për një vend fqinj si Shqipëria, është pjesë e një udhëtimi që mund të ketë pasoja edhe në vendin tonë. Një Shqipëri më përfshirëse, është një Europë më përfshirëse gjithashtu, e në mënyrë të pashmangshme edhe një Itali më e përfshirëse”, tha Patanè.
Ai drejton sot organizatën që dikur e drejtonte Nicki Vendola, kryeministri në hije i së majtës në Itali, përballë kryeministrit aktual Silvio Berlusconi.
“Kjo marrëveshje ndërkombëtare bashkëpunimi”, tha Patanè, “do të pasohet me të tjera, me synimin për të ndihmuar realitetin e mijëra e miliona njerëzve në të dy vendet”.