Aosta, (Itali), 31 maj, NOA – Një shqiptar është plagosur mbrëmjen e djeshme në Aosta të Italisë nga ish-burri i të dashurës së tij. Korrespodenti i Agjencisë NOA në Itali raporton se personi i plagosur është Ilir Xhialli, 24-vjeç. Ndërsa në sulmin që i është bërë atij ka mbetur e plagosur dhe gruaja 41-vjeçare, Maria Caterina Verduçio.
Autori i ngjarjes është 47-vjeçari, Antonino Pandolfino. Ai është arrestuar për tentativë vrasjeje, ndërkohë që më parë ka pasur precedentë penalë për trafik droge. Pandolfino kishte disa kohë që ishte ndarë nga gruaja e tij, por nuk e kishte pranuar faktin që 41-vjeçarja kishte lidhje me një tjetër.
Sulmi ka ndodhur në shtëpinë e 41-vjeçares. Ish-burri i saj ishte fshehur në apartament dhe ka pritur derisa çifti të kthehej në shtëpi. Në momentin që ata kanë hyrë, Pandolfino ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.
24-vjeçari shqiptar është plagosur lehtë në krah. Ndërsa gruaja ka marrë plagë më të rënda dhe është shtruar në spital. Sipas policisë, djaloshi shqiptar është hedhur nga dritarja teksa ka parë 47-vjeçarin që i është drejtuar me armë për ta vrarë. Gruaja 41-vjeçare, pas operacionit dhe heqjes së plumbit është jashtë rrezikut për jetën.
a.k/NOA