English

Kakavijë, policia arreston shtetasin Grek, i'u gjeti marijuanë

Kakavijë, 31 maj 2011, NOA- Policia e Gjirokastrës gjatë ditës së sotme prangosi një shtetas Grek në pikën kufitare të Kakavijës, pasi i gjeti një sasi lënde narkotike e llojit marijuanë.

Sipas policisë së këtij qyteti mësohet se arrestimi i tij erdhi pas marrjes së informacionit se një automjet me traga greke që lëvizte nga Gjirokastra në drejtim të Athinës, mund të transportonte lëndë narkotike.

Pas kësaj, nga ana e uniformave blu nisi veprimi, ku u ndalua një automjet tip Mazda me targë ZYT 71 55, me drejtues mjeti shtetasin grek Iraklis Rousit, në momentin që është afruar në pikën e kalimit të kontrollit kufitar Kakavijë për të kryer procedurat për të kaluar në shtetin grek.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet rezultoi se në pjesën e poshtme të kroskotit, në faqen anësore të sediljes së djathtë të pasagjerit u gjet një gazetë e mbështjellë, ku brenda saj kishte sasi të vogla lënde bimore të thara në formën e boçes të dyshuar si marijuanë.

Pas gjetjes së kësaj lënde narkotike u bë e mundur, shoqërimi i drejtuesit të automjetit së bashku me lëndën narkotike dhe një pasagjer nga Vlora që udhëtonte me këtë shtetas për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Në vijim efektivat e policisë pas verifikimeve përkatëse, vërtetuan se lënda narkotike i përkiste shtetasit grek Iraklis Rousit, i moshës 33 vjeçare lindur dhe banues në Dhramas- Greqi, ndërsa pasagjeri në këtë automjet u la i lirë, pas provimit se nuk kishte lidhje me sasinë e drogës së sekuestruar.

Ndërkaq u sekuestrohen në cilësinë e provës materiale lënda narkotike dhe automjeti, ndërsa nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës nisën hetimet për veprën penale, “Trafik të narkotikëve”.

a.y/NOA

KOMENTE