English

KQZ vendos sot për ankesat e PD e PS

Tiranë, 31 maj 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot mbi ankesat e paraqitura mbi rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Në mbledhjen e KQZ-së që është lajmëruar të nisë në orën 09.30 do të shqyrtohen katër ankesat e paraqitura nga dy subjektet zgjedhore, dhe një ankesë nga Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë.

Dy kërkesat e Partisë Socialiste kërkojnë shpalljen të pavlefshme të vendimit të KQZ-së për tabelën përmbledhëse të KZAZ-së 49 të njësisë bashkiake numër 5 si dhe shpalljen të pavlefshme të tabelës përmbledhëse të bashkisë së Tiranës.

Sipas PS-së këto dy tabela janë të pavlefshme për shkak se u përpiluan pas numërimit në KQZ të votave të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara.

Ndërsa Partia Demokratike kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake të kryeqytetit, përkatësisht 26 qendra votimi dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare të rezultateve, një kërkesë kjo që u mbështet dje nga anëtarët e PD-së në KQZ.

KQZ vendosi të marrë si prova faktet e paraqitura mbi parregullsitë në qendrat e votimit, procesverbalet e grupeve të numërimit, librat e protokolleve.

Ankesat e partive u diskutuan edhe dje, por për shkak të debateve lidhur me provat e paraqitura KQZ e shtyu për sot marrjen e vendimit.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eno Bushi kërkoi dje pezullimin e vendimit për ankesat deri në marrjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor mbi ankesën e PS-së për rezultatin për Tiranën, një vendim që pritet të merret të premten.

mit/NOA

KOMENTE